Disa nuk mundin pa mashtruar dikë e disa nuk munden pa u mashtruar!

Kolumne

Disa nuk mundin pa mashtruar dikë e disa nuk munden pa u mashtruar!

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më: 24 korrik 2021 Në ora: 08:47
Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot

Është interesante kjo puna e mashtrimeve, se si ndahen në dy grupe: mashtruesi dhe i mashtruari. Tek i pari janë disa që e kanë me çdo kusht të mashtrojnë të tjerët, kurse kategoria e dytë është në një pozicion të kundërt, pra nuk mund të jenë në situata normale nëse nuk i mashtron dikush. Thjeshtë jetojnë të mashtruar, sepse ashtu ua do jeta e tyre. Që prej organizimit të njerëzve në shoqëri, e deri me sot këto kategori kanë qenë të lidhura ngushte me njëra-tjetrën. Kjo, madje nuk është vetëm një lidhje e thjeshtë mes këtyre dy kategorive, por çështja paraqitet edhe më përtej, sepse as që do të mund të bëhej fjalë për ekzistencën e njërës palë pa tjetrën. Shtrohet pyetja se si do të mund të ekzistonte i mashtruari, nëse nuk do ta bënte punën e vet mashtruesi? Jo pra assesi. As mashtruesi nuk mund të ekzistonte, ose thënë më drejtë nuk do të mund ta kryente punën e vet nëse nuk do të kishte një kategori njerëzish që duanë të jenë të mashtruar. Me një fjalë këto dy kategori janë të lidhur si zinxhirët njëri për tjetrin dhe kështu kanë jetuar bashkë që kurë filloj të paraqitet kjo “zeje”.

E nëse merremi me ketë temë sigurisht se do të futemi në një temë interesante, por assesi t’i dalin në fund temës, por le të merremi më një kaptinë të kësaj “zeje” në vendin tonë. Që kur kam filluar të di leximin si formë të komunikimit, kam parë se shkrimi paraqet një fuqi të madhe në ketë aspekt. Kur dikush shkruante për një çështje që ishte me rëndësi për shoqërinë shqiptare, kishim mundësi t'i gjenim së paku dy kategori njerëzish: njëri që besonte në të, ndërsa tjetri që jo vetëm se nuk besonte, por e kundërshtonte dhe e shante madje deri në nivele neveritëse. E gjithë kjo pa marrë parasysh se a ishte e vërtetë apo jo. Cilido variant i jepte të drejtë njërës palë, por jo edhe tjetrës, sepse nuk mund të kishte dy opsione, prandaj pikërisht këtu qëndron edhe pikë argumentuese se kemi të bëjmë me mashtrues dhe të mashtruar.

Cila kategori është më shumicë?

Nuk është aq e lehtë të gjendet përgjigja në ketë pyetje, ngase cilëndo që e radhisim të parën kemi mjaftë argumente që e kundërshtojnë se ajo tjetra është më shumicë... E meqenëse qenka një përgjigje ku vështirë u gjetka e vërteta, atëherë le ti marrin si dukuri disa veprime të këtij formati në Kosovë. Mashtrues zakonisht janë politikanët, ose mashtruesit më të fuqishëm janë kategoritë politike, që të bien në sy, pa mos i mohuar edhe kategoritë tjera të mashtruesve, prandaj dilema se sa janë shumicë kjo kategori dhe se sa politikanë janë mashtrues, kjo pak a shumë dihet me pak pushtet kur ata e marrin, sepse vetëm i përballim ata me punët e tyre dhe premtimet e tyre dhe rezultati nuk mungon. Sikur të gjykojmë të gjithë racionalisht ose thënë më thjeshtë të gjykojmë me arsye, vështirë se mund të na ikën e vërteta, mbase disa edhe e kuptojnë të vërtetën dhe së paku nuk i besojnë më të njëjtit mashtrues (në njëjës dhe shumës), por çka t’u bësh një grupi jo të vogël, për të mos thënë shumë prej tyre të cilët e marrin vesh se janë të mashtruar, por serisht vazhdojnë të besojnë në mashtrimet e tyre të “besueshme”. Kësaj kategorie të njerëzve nuk e di se si mund t’u gjendet ilaçi, që të mos jenë të mashtruar edhe më tej, por e di se kjo kategori janë një grup i cili dëshiron të jenë të mashtruar, ndoshta edhe është mënyra e tyre e të jetuarit. Në bazë të kësaj që u shtjellua po na del se kategoria e të mashtruarve qenka më e madhe se ajo e mashtruesve, mirëpo kush konkretisht janë këto dy kategori? Në një situatë të tillë, ku shumicë është populli e pakicë janë politikanët edhe pse nuk janë të pakët, formula e kësaj është ‘politika na mashtron e ne populli jemi të mashtruarit’, ndërsa mbetet të zgjidhen llogaritjet e durueshmërisë së të mashtruarve, sepse kur zgjidhet kjo, pastaj edhe kastat politike detyrohen të reduktojnë mashtrimet. Prova e kësaj detyre është qeverisja aktuale LVV me të panjohurat opozita PDK, LDK, AAK dhe media, pa mos e lënë anash as shoqërinë civile. Krejt për fund, do doja që të shoh një kategori të tretë, e cila nuk e duron mashtrimin, sepse kur kjo kategori të jetë më e madhe, mashtruesit të zvogëlohen si kategori.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat