Politika zeje më fitimprurëse

Kolumne

Politika zeje më fitimprurëse

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më: 26 korrik 2021 Në ora: 16:19
Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot

Është interesante se si partia luan rol të pazëvendësueshëm në jetën e njeriut në vendin tonë. Të jesh në parti, ama ka rëndësi në cilën parti, pra një parti të fuqishme, do të thotë se shumë probleme të jetës mund t’i kesh të zgjidhura.

E si bëhet kjo? Jo edhe aq vështirë, ta zëmë nëse ke dëshirë të bëhesh biznesmen, ketë mund ta arrish me përkushtim ndaj partisë dhe liderit, natyrisht duke dhënë për partinë, atë që mund të japësh. Nëse je i papunë, edhe ketë ta rregullon partia, vetëm bëhu i partisë, mendo për partinë dhe kontribuo për partinë me çdo mjet, e pastaj puna të pret, por lutu ta kesh edhe ndonjë familjarë ose akreba në qeveri apo ndonjë post të lart në pushtet, qoftë lokal, qoftë nacional dhe punët nuk janë keq pastaj. Parti kështu ishte edhe në kohën e kuqe. Njeriu nuk mund të realizonte ëndrrën e vet po qe se nuk ishte në partinë pushtet dikur, prandaj edhe bëhej garë e fortë se kush është më partiash se tjetri.

Atëherë, ku dalluaka jo parti me këto partitë e sotme? Dallimi i parë është emri, se tani u thonë parti demokratike e atyre u thoshin parti komuniste, por as ky nuk më duket ndonjë dallim, sepse edhe tani ka parti edhe pse quhen demokratike, ato si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga udhëheqja kanë elemente të njëjta me ato partitë e dikurshme komuniste. Nëse shkojmë më tutje dhe i përmendim me emra partitë e caktuara, na del se dikur kishim një parti që ishte parti-pushtet, ndërsa tani kemi një koalicion partish-gati pushtet. E nëse ndodhë që të kemi një parti siç na ndodhi me 14 shkurt, tani vetëm të presim dhe të dëgjojmë dhe detyrimisht të pajtohemi me realitetin…

Kjo puna e politikës mbase është për tu habitur me veprimet, por jo edhe me qasjen që ka politika për kategoritë e caktuara, që i duartrokasin partisë vend e pavend. Politika është arti i së mundshmes, e kanë thënë shumë studiues, por në vendin tonë parti dhe politika e partisë është art i të pamundshmes dhe të mundshmes. Që prej filleve të pluralizmit politik në Kosovë, e me theks të veçantë nga viti 2000, partitë politike, kur janë futur në pushtet, sa kanë mundur i kanë punësuar, pasuruar dhe lartësuar njerëzit e tyre partiak e familjarë. Për raste konkrete nuk e vlen të flitet sepse duhet shumë gjatë për të shkruar, por si fenomen është kritikuar kjo formë e veprimit, sidomos nga një grup “MESI” të cilët fillimisht dukeshin se nuk duan pushtet dhe këta njerëz na qenkan të dërguar për të bërë vetëm punë të mira për popullin, por dikur nuk lypen pushtet si këta liderët tjerë dhe partiashët e tyre, por këta lypen krejt dhe drejt deri në maje të pushtetit. Për habi edhe kjo ndodhi, por nuk e di se ku mbeti ajo që populli dikur e quante ‘burrni’, sepse që nga ditët e para të tyre në krye në pushtetit, filluan t’i punësojnë partiashët dhe familjarët e tyre, filluan t’u japin tenderë njerëzve të tyre, me një fjalë edhe këta na dolën si ata tjerët. E meqenëse disa po e marrin shumë afër zemre ketë punë, unë kam dy fjalë për ta dhe dy a tri për ata para tyre: Për ju që po habiteni se si po keqpërdorin pushtetin pushtetarët e ri, ju lutem mos harroni se këta janë bijtë dhe bijat e atyre të tjerëve, besa disa janë po ata vetëm me një petk tjetër politik të veshur dhe kështu i kanë marrë mësimet e para nga ata, ndërsa tani që janë në pushtet nuk po mësojnë më gjëra tjera.

Shkurt e shqip, edhe këta po zbatojnë të njëjtat metoda që i zbatonin baballarët e tyre politik, që tani po konsiderohen si parti të vjetruara nga po këta zogjtë e tyre politik. Kurse, për ju të vjetrit, mos mendoni se është fundi i botës, si puna e dhelprës kur iu kishte djegur bishte dhe bërtiste se u dogj bota. Jo, jo edhe këta me ato përamasat tuaja po veprojnë dhe me siguri se edhe këta do ta kenë një fund, por ndoshta edhe më të keq se ju. Thjesht pritet një kastë politike e re, ose së paku një mpirje mendsh masive, por nga dikush tjetër dhe edhe këta pushtetarë dhe partia e tyre do ta kenë fatin e tillë.

Në fakt, partia ka qenë, është dhe mbetet edhe kësaj radhe një zeje e fortë, e cila të sjell të mira të ndryshme, varësisht se për çfarë je dhe sa i bindesh partisë në pushtet, prandaj mendoj se nuk duhet të habitet asnjëri me pushtetarët e ri, kur ata punësojnë, pasurojnë dhe bëjnë veprime tanimë tradicionale, abuzime me pushtetin.

Dhe për fund kam një konstatim timin me të cilin besoj se pajtohen, së paku personat që nuk janë me pushtetin, jo vetëm me ketë pushtet suprem por edhe me ato pushtetet e mëparshme, se më i vlefshëm është një gram pushtet në Kosovë, se një kilogram ari në një vend me demokraci normale, ta zëmë Shtetet e Bashkuara. Këtu me at pak pushtet, jo përfiton vet dhe familja jote të mira materiale, por edhe shumë të tjerë të ofrohen dhe të përkulen, së paku për sa të jesh në fuqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat