Qeveria Kurti duhet t’i blejë sa më shpejtë tre helikopterë!

Kolumne

Qeveria Kurti duhet t’i blejë sa më shpejtë tre helikopterë!

Prof. Jeton Kelmendi, PhD Bota Sot Nga Prof. Jeton Kelmendi, PhD Bota Sot Më 4 gusht 2021 Në ora: 11:17
Albin Kurti

Ndonëse kanë kaluar dy dekada që kur u çlirua vendi dhe po ashtu trembëdhjetë vjet nga pavarësia, shteti as sot nuk e ka as edhe një fluturake sado të thjeshtë, madje as tani që edhe zyrtarisht ka ushtrinë e vet. Është për tu habitur se si asnjë qeveri deri më tani nuk e kishte në programin e tyre blerjen e ndonjë helikopteri, ndërsa është shumë i nevojshëm, madje i domosdoshëm për shtetin. I ka edhe mundësitë financiare edhe logjistike qeveria e vendit që t’i blejë së paku tre helikopterë: një për zyrtarët shtetëror, një për ushtrinë dhe një për policinë e shtetit, prandaj ketë gjë që nuk e bënë paraardhësit e Kurtit në qeveri, është koha që kryeministri aktual ta bëjë sa më shpejt. Është krejt jashtë logjike që kur na ndodh një aksident qoftë në vend, qoftë ne shtetet fqinjë, siç ndodhi me aksidentin me autobus në Kroaci dhe shefi i qeverisë dhe ministrat e tij nuk e kanë një helikopter për t’i vizituar të prekurit dhe vendin e ngjarjes, ndërsa duhet ndihma e vendeve tjera. Kjo thjeshtë dëshmon se nuk jemi shtet funksional, ose jemi njëfarë shteti për gjynah, e në fakt nuk jemi të tillë, së paku për para nuk jemi aq keq. Pra, është një domosdo e kohës që tani të kemi së paku tre helikopterë dhe përveç që na duhen shumë, e ka edhe rëndësinë tjetër, atë të imazhit. Thjeshtë duhet të dukemi pak më serioz në funksionimin tonë si shtet i organizuar dhe të mos ankohemi.

Kurti duhet të bëjë diçka qe të mos jetë edhe ky vetëm një numër si disa kryeministra tjerë.

kërkesë e kam në formë thirrje për kreun e qeverisë së vendit dhe e bëj për shumë arsye. E para, për ta parë shtetin tim më të mirë organizuar dhe më fuqishëm në shërbim të qytetarëve, pastaj për të dëshmuar se ushtrinë që e kemi bërë edhe e forcojmë dhe e pajisim me pajisje. Pra, ka shumë arsye që na duhen fillimisht tre helikopterë, pastaj më vonë edhe disa të tjerë dhe po ashtu edhe për ta formuar avio-kompaninë kombëtare civile, por një nga arsyet është edhe, së paku një sukses i Albin Kurtit dhe qeverisë së tij. Dihet se Kurti e ka marrë qeverisjen e vendit në një kohë kur janë harxhuar të gjitha çështjet e mëdha, për ç’gjë kryeministri ka shumë dëshirë të thirret në to dhe me shumë pompozitet flet për gjëra të mëdha, prandaj edhe atij do t’ia ruante sadopak autoritetin prej njeriut shumë-premtues, e besa deri më tani goxha pak sukses bërës. Edhe pse jemi ende në fazën e pandemisë dhe se qeveria ka harxhuar shumë për mbështetjen e kategorive të ndryshme, serish vendi nuk qëndron keq financiarisht, prandaj një veprim i tillë do të mund t’ua shpëtonte fytyrën kryeministrit Kurti, por edhe popullit do t’u shërbente edhe praktikisht, edhe për imazh shtetëror. E kuptoj se edhe Kurti edhe kurtët e tij në qeveri dhe institucione nuk kanë vizione për zhvillim të një ekonomie të tregut, por të njëfarë mbijetese, ose barazi për secilin, si ata që punojnë, si ata që nuk punojnë, ama kjo çështje do të duhej t’i tejkalonte aspiratat e tyre dhe pastaj tu kthehej po atyre në shërbim ketë kohë kur pritet që në vjeshtë të mbahen zgjedhjet lokale në vend.

Fakt tjetër që duhet përmendur është rasti i djegies së pyjeve, ku zjarrfikësit nuk mund të arrijnë që t’i ndalin zjarret edhe kur atyre ju shkon në ndihëm ushtria, sepse terrenet janë të tilla, ku nevojitet ndërhyrje nga ajri dhe për një gjë të tillë duhet lutur KFOR-i. Thënë me një fjali shkurt e shqip, punën që nuk e kanë bërë paraardhësit tu në qeveri, bëje ti Albin, sepse nga tani jam i bindur se edhe ata e shohin se kanë bërë lëshim këtu, por tani nuk e kanë atë mundësi dhe një fat i tillë mund të pres edhe ty, të mos mundësh pastaj, prandaj po të kërkoj ta bësh për veten tënde, nëse jo për shtetin. Dikush mund të mendojë se blerja e tre helikopterëve kushton shumë dhe se nuk i ka Qeveria e Kosovës paratë!...Blerja mund të bëhet në forma të ndryshme, për çka duhet një analizë nga vet institucionet qeveritare dhe me një kredi do mund të sigurohej pa ndonjë vështirësi, por ajo që më së shumti më bëri përshtypje ishte qasja e Kryeministrit Kurti karshi qeverisë Kroate dhe ajo qasje nuk i bënë nderë vendit tonë. E kuptoj se blerja e helikopterëve nuk duket popullore si veprim sa për shembull takimet me Aleksandër Vuçiqin dhe lojërat pingpong me deklarata mes Kurtit dhe Vuçiqit, ama kjo çështje në një afat më të gjatë do të jetë shumë më popullore se loja me kreun serb, për çka edhe është duke iu harxhuar durimi ShBA-së e besa edhe popullit që besoj me 14 shkurt të këtij viti. Nga ana tjetër në një qasje si kjo kolumne nuk të radhisësh të gjitha faktet, sepse janë të shumta, por ideja është ta hapim ketë temë dhe të shkohet tutje me veprime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat