Populli ynë thotë me mençuri: “S’ka shtëpi që s’ka derë.” Kjo do të thotë se çdo problem ka dalje, ka mënyrë për t’u zgjidhur, mjafton të hapet dera e arsyes dhe dashurisë ndërnjerëzore para urrejtjes. Luftërat zakonisht nuk shpërthejnë papritur. Ato rriten ngadalë, si një zjarr që fillon me një shkëndijë të vogël dhe përhapet kur njerëzit e shikojnë dhe askush nuk e fik. Nga ajo shkëndijë zënë fill rrënjët e luftrave. Përgjithësisht, kur lindin konflikte, për të evituar luftën e armatosur, bëhen përpjekje të gjithanshme diplomatike për ta zgjidhur konfliktin. Por kur diplomacia nuk e arrin qëllimin e vet, apo kur dështon në përpjekjet e saj, për faj të njërës apo tjetrës palë, apo për shkak të mosgjendjes së një konsensusi, atëherë lufta është e paevitueshme. Dikush e ka quajtur luftën vazhdim i diplomacisë me mjetet e forcës.
Zakonisht, nevoja për të ndërhyrë në një vend, i cili bëhet problematik jo vetëm për vetveten, por edhe për territorin apo komunitetin ndërkombëtar, lind kur qeveritë, veçanërisht regjimet diktatoriale, kufizojnë liritë themelore të popujve, shtypin fjalën e lirë, ndëshkojnë kritikën, e shohin popullin si kërcënim, jo si burim legjitimiteti, presioni i brendshëm rritet gjer sa vjen momenti që shpërthen lufta. Lufta nuk lind nga dëshira e popullit, sepse konsekuencat i paguan përherë populli, por nga pushteti që kërkon ta deformojë mendjen e popullit e ta shtypë atë. Qeveritë, për interesa të sundimit dhe arritjeve të qëllimeve te tyre, nuk e lejojnë popullin të jetojë e të veprojë i lirë, ia mbështjellin trurin me ideologji të ndryshme, që njerëzit të mos arrijnë atë nivel vetëdijeje sa të ngrihen kundër padrejtësisë.
Lufta në iran,gëzim apo hidhërim?
Çdo luftë është hidhërim, sepse sjell vdekje. Dhe vdekja nuk pyet se kush është fajtor e kush i pafajshëm. Ajo prek fëmijë, gra, pleq, invalidë, të sëmurë, shuan ëndrra të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me konfliktet e mëdha të politikës botërore, shkatërrohen pasuri, qytete, ura, shkolla, spitale, gjithçka që njerëzit e thjeshtë e kanë ngritur me mund, djersë dhe sakrificë. Lufta është hidhërim, është tmerr. Qindra miliarda dollarë, të mbledhura nga djersa e punëtorëve, derdhen në armë, tanke, avionë luftarakë e raketa. Ndërsa në anën tjetër uria, varfëria dhe pabarazia vazhdojnë të kërcënojnë miliona njerëz të pafajshëm në planet.
Në botën e sotme, sidomos në rajone të brishta si Lindja e Mesme, çdo ndërhyrje e madhe ushtarake sjell para nesh pyetjet: A është e drejtë? A është e domosdoshme? A sjell liri apo kaos? Lufta Në Gaza nisi nga një sulm i befasishëm i forcave të Hamas-it kundër shtetit të Izraelit. Konflikti mori përmasa të tilla sa Gaza u shkul thuajse e tëra nga themelet dhe u vranë mijëra e mijëra vetë, u shkatërruan shtëpi e qytete, ekonomia thuajse u asgjësua tërësisht apo u paralizua. Dhe këto ditë, po në Lindjen e Mesme shpërtheu lufta në Iran me sulmin e përbashkët amerikano-izraelit, që me një sulm masiv e blitz ajror çoi në asgjësimin brenda dy orëve të ledershipit iranian me në krye Ali Khamenein. Kjo luftë shpërtheu pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për ta bindur Iranin që të heqë dorë nga pasurimi i uranit për të prodhuar bombën atomike dhe pas shtypjes me forcë të protestave popullore nga regjimi iranian, që çoi në vrasjen e mijëra vetëve dhe arrestimin e mijëra të tjerëve. Kjo luftë nuk shpërtheu sepse kështu i do qejfi Amerikës apo Izraelit, siç shprehen disa që janë kundër ndërhyrjes amerikano-izraelite, por sepse regjimi i një islamizmi ekstrem ishte bërë problem jo vetëm për popullin e vet, por edhe për rajonin e Lindjes së Mesme dhe për sigurinë ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Donald Trump, duke përmendur objektivat që do të arrihen në këtë luftë, shpjegon edhe arsyet e këtij sulmi. Ai thekson: Jemi duke shkatërruar e asgjësuar kapacitetin raketor të Iranit, po asgjësojmë marinën luftarake iraniane (janë fundosur deri tani 9 anije), po bëjmë të mundur që financuesi më i madh i terrorizmiz ndërkombëtar, Irani, të mos ketë kurrë armën nukleare për ta përdorur si kërcënim e rrezik për popujt, si dhe do të arrijë objektivin që Irani të mos financojë grupe e ushtri terroriste jashtë kufinjve të vet, pra në ato vende të Lindjes së Mesme ku përgatiten e stërviten grupe terroriste që pastaj veprojnë në tërë globin. Pikërisht në këto objektiva janë edhe arsyet e sulmit.
Edhe pse luftën nuk e konsideroj asnjëherë si zgjidhjen më të drejtë, në situata të tilla e shoh si detyrim moral për të shmangur katastrofa më të mëdha dhe për të hapur rrugën drejt një rendi më të drejtë shoqëror. Ishte e domosdoshëm të ndalohej një regjim autoritar i plotë nën ligjet e doktrinës fetare, i armatosur me armë bërthamore dhe i izoluar, një regjim që mund të sillte pasoja katastrofalë në ekuilibrin e paqes globale. Një ndërhyrje e tillë është e justifikueshme vetëm kur ndalon një të keqe më të madhe dhe hap rrugën për liri, emancipim dhe drejtësi. Amerika shpesh ndërhyn për të ruajtur ekuilibrin global, por edhe për të mos lejuar që fuqitë e tjera të marrin kontrollin e zonave strategjike dhe të mos rrezikojnë paqen dhe të drejtat njerëzore në botë. Më në fund prap qëndroj tek bindja se lufta është një dështim i njerëzimit, aty ku ka vdekje, ku merren jetë të pafajshmëve, nuk ka duartrokitje. Lufta tregon se sa larg jemi ende nga një botë ku problemet zgjidhen me mençuri, dialog dhe drejtësi.
Cilin qëndrim të mbajnë ndaj kësaj lufte?
Duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e deri në qarqet më të larta politike e shtetërore, në të gjitha kontinentet, ka qëndrime të ndryshme. Ka nga ata që e kontrastojnë hapur, duke e quajtur të shpejtuar e të panevojshme ndërhyrjen amerikano-izraelite, siç ka të tjerë që janë rreshtuar përkrah Amerikës e Izraelit, duke e vlerësuar si fitore asgjësimin e regjimit të Khameneit. Edhe brenda Iranit, nga njëra anë shikonim popullin e shtypur që festonte rrugëve, në shtëpi e ngado për këtë çlirim nga regjimi, nga ana tjetër shikonim spikera televizivë e fanatikë të regjimit të qanin për këtë humbje. Jo si adhurues, jo duartrokitje, por si detyrim moral nga tradita jonë, mendoj se populli ynë duhet të qëndrojë në anën e atyre që na qëndruan pranë në ditët më të errëta, që, ashtu siç ndihmuan në ardhjen e lirisë në tokën tonë, po luftojnë edhe për lirinë e të drejtat e popullit iranian dhe të popujve të tjerë të Lindjes së Mesme. Sepse mirënjohja është themeli i karakterit tonë si popull.
Populli ynë ka një thënie të vjetër: “Mikun e mirë e njeh në ditë të vështirë.” SHBA-ja ishte shtylla kryesore e mbijetesës së Kosovës, duke ndalur spastrimin etnik dhe duke hapur rrugën për liri e pavarësi. Në momentet kur populli ynë ishte i pambrojtur, këto dy shtete nuk na lanë vetëm. Kjo nuk është vetëm një diplomaci politike në mes shtetit tonë dhe Amerikës, është kujtesë historike, është ndjenjë njerëzore, me atë ne dëshmojmë se nuk e harrojmë të mirën. Veç kësaj ne aspirojmë edhe lirinë e demokracinë e atyre popujve të shtypur, që edhe pas çerekshekullit të parë të shekullit 21, vuajnë për liri dhe të drejta themelore nga shtypja e regjimeve totalitariste e gjakatare.
Pa dyshim, keqardhja është e madhe për viktimat e pafajshme që shkakton lufta, për shkatërrimet që sjell ajo, por kur regjime të tilla nuk hanë arsyen e përpjekjet diplomatike, i lënë vetë shkak përdorimit të forcës, si mjeti i fundit i zgjidhjes së problemeve të shtruara në tryezat e bisedimeve paqësore.
Presidenti Trump njoftoi që kjo luftë nuk do të jetë e shkurtër. Irani është përgjigjur me forcën e armëve, duke e shkallëzuar konfliktin edhe në vendet përreth. Kjo e komplikon më tej luftën, pasi forca terroriste në të gjithë hapësirën, mund të hyjnë në veprim. Ndaj lufta do të marrë fund vetëm kur kontigjente të tilla të rrezikshme për paqen e sigurinë në rajon e në botë të jenë asgjësuar dhe të hapen mundësitë e zhvillimit të një jete të lirë e demokratike edhe në ato zona e paqja në botë të mos ndihet e kërcënuar.