Gruaja nga Ferizaj përjeton tmerrin: Dhunohet në një motel nga dashuri, po e mbante me zor në lidhje që 4 vjet

Kronikë e zezë

Gruaja nga Ferizaj përjeton tmerrin: Dhunohet në një motel nga dashuri, po e mbante me zor në lidhje që 4 vjet

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 09:27
Ilustrim

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie.

Një rast i tillë i trishtë që dyshohet se ka ndodhur disa herë, është raportuar gjatë ditës së djeshme në Ferizaj.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 32-vjeçare ka denoncuar në Polici një burrë, për të cilin ka deklaruar se e ka dhunuar disa herë seksualisht në një motel në fshatin Koshare të Ferizajt.

Rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur para tri javëve, kur i dyshuari e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në motelin e njëjtë ku e kishte dërguar edhe herë tjera.

Gruaja ka rrëfyer tmerrin e përjetuar para hetuesve policorë, duke thënë se ka vite që ajo dëshiron të ndahet nga i dyshuari, mirëpo i njëjti vazhdimisht e ka kërcënuar dhe nuk e ka lënë të largohet.

Bazuar në dëshminë e saj, pas tri vitesh në lidhje dashurie me të dyshuarin, ajo e kishte kuptuar që ai është i martuar. Si rrjedhojë ka kërkuar që të ndahet nga ai, por i dyshuari edhe për katër vite tjera me radhë e ka mbajtur me dhunë e kërcënime afër vetes.

Pasi gruaja ka vendosur që rastin ta denoncojë në Polici, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intevristim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunim’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Ferizaj pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat