45-vjeçarja në Mitrovicë denoncon burrin për dhunë, thotë se s’mund të jetojë më me të

Kronikë e zezë

45-vjeçarja në Mitrovicë denoncon burrin për dhunë, thotë se s’mund të jetojë më me të

Më: 5 shkurt 2023 Në ora: 07:43
Foto ilustrim

Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre, e që ndër vite shumë raste të tilla kanë përfunduar tragjikisht.

Konsumimi i tepërt i alkoolit, dyshohet të ketë rënduar situatën në një familje në Mitrovicë.

Media mëson se një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se pi shumë alkool dhe si rrjedhojë ushtron dhunë psikike dhe e ofendon me fjalë të rënda. Sipas saj, 47-vjeçari vazhdimisht i kërkon asaj para.

Bazuar në dëshminë e saj, pasi ajo është kthyer nga shtëpia e prindërve të saj në shtëpinë e burrit për t’ia dhënë atij 20 euro nga 100 sa ia kishte kërkuar, i dyshuari sërish ka filluar që ta ofendojë me fjalë fyese.

Si pasojë e kësaj, viktima ka vendosur që të ndahet, duke i lënë një letër lamtumirëse të shoqit të cilin e ka paralajmëruar se nuk mund të vazhdojë të jetojë nën presionin e tij.

Para hetuesve policorë, 45-vjeçarja ka kërkuar që të pajiset me urdhër mbrojtës, për shkak se nuk ndihet e sigurt pranë bashkëshortit.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku pas testimit për sasinë e alkoolit në gjak, ai ka rezultuar në gjendje të dehur.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe pasi ndaj tij është konstatuar se ka urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat