I riu në Prishtinë e bën nënën për spital, ushtron dhunë psikike edhe ndaj babait

Kronikë e zezë

I riu në Prishtinë e bën nënën për spital, ushtron dhunë psikike edhe ndaj babait

Më: 18 maj 2023 Në ora: 00:44
Ilustrim

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Me një situatë të tillë janë përballur edhe dy prindër në Prishtinë, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga Policia, duke e denoncuar djalin e tyre për dhunë fizike dhe psikike.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes, ku djali dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij, ndërsa ndaj babait ka ushtruar dhunë psikike dhe për pasojë iu ka shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

Përballë kësaj situate, viktimat e kanë denoncuar rastin në Polici, ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, me ç’rast është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat