Një ngjarje e pazakontë, por e ngarkuar emocionalisht, ka ndodhur në Gjakovë, ku një grua 66-vjeçare ka përmbushur amanetin e burrit të ndjerë, duke dorëzuar një armë automatike në polici vetëm tri ditë pas vdekjes së tij.
Ngjarja është regjistruar më 18 prill 2025, rreth orës 15:30, në Stacionin Policor të Gjakovës, ku është paraqitur Xhemile Sufaj 67 veçare, me një armë të gjatë të tipit AK-47 në duar, të cilën e ka dorëzuar vullnetarisht.
Sipas deklaratës së saj para hetuesve, bëhet fjalë për armën e bashkëshortit të saj të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë vetëm tri ditë më parë. Para vdekjes, ai i kishte treguar se kishte fshehur një armë në çatinë e shtëpisë dhe e kishte lutur që, pasi të ndërronte jetë, ta dorëzonte në polici, raportojnë mediat vendore.
Gruaja nuk ka hezituar ta çojë këtë amanet deri në fund, duke e dorëzuar armën në mënyrë të rregullt. Njësia e Hetimeve e ka konfiskuar armën, ndërsa me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe është dërguar në procedurë të rregullt.