Një aksident trafiku ku është përfshirë një kamion ka shkaktuar bllokim të pjesshëm të qarkullimit në aksin rrugor që lidh rrethrrotullimin te pompa e derivateve Shell në lagjen “Veternik” të Prishtinës me kyçjen në rrugën Fushë Kosovë – Pejë, në fshatin Bresje.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës, si pasojë e aksidentit, aktualisht është funksional vetëm një shirit i komunikacionit në këtë segment, gjë që ka krijuar mbingarkesë të madhe të trafikut, veçanërisht në drejtim të Fushë Kosovës dhe Pejës.
Për këtë arsye, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që zakonisht përdorin këtë rrugë që, përkohësisht, të shfrytëzojnë rrugë alternative derisa situata të kthehet në normalitet.
“Ekipet tona janë në terren dhe së bashku me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e gjendjes në normalitet sa më parë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.