Alarmi për rrëmbimin e një vajze të mitur në Fushë Kosovë doli i rremë, policia nis hetimet

Kronikë e zezë

Alarmi për rrëmbimin e një vajze të mitur në Fushë Kosovë doli i rremë, policia nis hetimet

Më: 22 maj 2025 Në ora: 23:25
Foto ilustrim

Rasti i raportuar si rrëmbim i një të miture në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, i denoncuar në orët e para të 21 majit, ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.

Denoncimi fillestar pretendonte se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe ishte liruar pas një ore.

Gjatë incidentit të pretenduar, ishte raportuar gjithashtu se nëna e të miturës ishte lënduar lehtë gjatë tentativës për të ndërhyrë.

Pas pranimit të informacionit, njësitet hetimore të stacionit policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ndërmorën veprime intensive hetimore duke përdorur kapacitetet profesionale dhe teknike për zbardhjen e ngjarjes.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizave të detajuara, është konfirmuar se nuk ka pasur asnjë rrëmbim të vërtetë – kemi të bëjmë me një kallëzim të rremë”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Policia njofton se hetimet për rastin po vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të përgjegjësive ligjore që dalin nga ky kallëzim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat