Një person ndalohet për marrje të kundërligjshme të fëmijës – 11 aktakuza të tjera në Gjilan

Kronikë e zezë

Një person ndalohet për marrje të kundërligjshme të fëmijës – 11 aktakuza të tjera në Gjilan

Më: 23 maj 2025 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka ndërmarrë një varg veprimesh penale, duke ngritur gjithsej 11 aktakuza kundër 13 personave, të dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Sipas njoftimit zyrtar, një person është ndaluar me urdhër të prokurorit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”.

Ndërkohë, dy aktakuza janë ngritur kundër dy personave për posedim të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa një tjetër përfshin dy persona të akuzuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Po ashtu, është ngritur një aktakuzë ndaj një personi për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, dhe një tjetër për “Shmangie nga sigurimi i mjeteve të jetesës”.

Pjesë e veprimeve të Prokurorisë janë edhe disa aktakuza të tjera: një person është akuzuar për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, një tjetër për posedim të paautorizuar të armëve, një për kontrabandim të mallrave, si dhe një tjetër për sulm fizik.

Lista e aktakuzave përfshin edhe një rast të vjedhjes së shërbimeve, si dhe një tjetër për kanosje, për të cilën janë vënë nën akuzë dy persona.

Prokuroria thekson se të gjitha këto raste janë rezultat i hetimeve të vazhdueshme në rajonin e Gjilanit dhe do të procedohen më tej në përputhje me ligjin në fuqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat