Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetime preliminare ndaj dy zyrtarëve policorë në Drejtorinë Rajonale të Pejës, njëri me gradën nënkolonel dhe tjetri kapiten, pas publikimit të informatave në media që ngritën dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit kanë ndërmarrë veprime hetimore të menjëhershme në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, pas informacioneve që lidhen me një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë.
Në atë datë, njësitë policore kishin reaguar ndaj një aksidenti në komunikacion dhe kishin shoqëruar një person që nuk kishte qenë i përfshirë në aksident, por që dyshohej se kishte penguar zyrtarët gjatë kryerjes së detyrave.
Dyshohet se nënkoloneli dhe kapiteni kanë ndërhyrë në këtë rast duke mos ndjekur procedurat standarde për hetimin dhe raportimin e incidentit, duke mos njoftuar Prokurorinë dhe duke e trajtuar rastin vetëm si kundërvajtje administrative.
Për të mundësuar hetime të pavarura dhe të paanshme, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë derisa të zbardhen të gjitha rrethanat që ndërlidhen me këtë ngjarje. Veprime të mëtejshme pritet të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë.
Hetimet janë në fazën preliminare dhe do të vazhdojnë me grumbullimin e informatave shtesë për të ndriçuar plotësisht rastin.