Një ngjarje e pazakontë është raportuar të shtunën mbrëma në fshatin Shtrubullovë të Gllogocit, ku një qytetar ka qëlluar me armë zjarri artizanale në oborrin e shtëpisë së tij për të frikësuar persona që, sipas tij, po tentonin të kryenin vjedhje.
Burime të medias bëjnë me dije se rasti është raportuar më 21 qershor 2025, rreth orës 21:45, kur Habib Jashari, 39 vjeçar ka njoftuar se kishte vërejtur persona të panjohur duke hyrë në pronën e tij dhe ka shtënë me armë në ajër për t’i trembur.
Me të dalë në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie artizanale pa numër serik dhe pa mbishkrim, si dhe: 2 fishekë Cheddite 16, 1 gëzhojë të zbrazët me të njëjtin mbishkrim.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është iniciuar procedurë penale për veprat: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar për procedurat e mëtejme hetimore.