Apeli vërteton dënimin prej 31 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarve për grabitje me AK-47 gjatë vitit 2023

Kronikë

Apeli vërteton dënimin prej 31 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarve për grabitje me AK-47 gjatë vitit 2023

Më: 10 gusht 2025 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 10 shkurt 2025, përmes të cilit ishin dënuar Arton Sekiraqa dhe Flamur Mula me nga 9 vjet e 6 muaj burgim dhe nga 1 mijë euro gjobë, Fitim Munishi me 8 vjet e 3 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, si dhe Xhevdet Salihu me 4 vjet e 3 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për grabitjen me AK-47 gjatë vitit 2023.

“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Arton Sekiraqa, Flamur Mula, Fitim Munishi dhe Xhevdet Salihu, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Prishtinë, i datës 08.04.2025, vërtetohet”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vendimit të Themelores del se kanë ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për pjesën liruese të vendimit ndaj të akuzuarit Xhevdet Salihu, duke kërkuar që të shpallet fajtor, si dhe për të gjithë të akuzuarit të shqiptohen dënime më të ashpra.

Kujtojmë se Salihu ishte liruar nga Themelorja për njërin pikë të akuzës se në bashkëkryerje me të akuzuarit tjerë kishte kryer grabitje të armatosur, mirëpo ishte gjetur fajtor për pika tjera të akuzës ku ishte i përfshirë në grabitje, sipas gjykatës.

Tutje, ankesë kanë parashtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, respektivisht për Sekiraqën avokati Sabri Ademi, për Mulën avokatja Luljeta Jashari-Hertica, për Munishin avokati Imer Beka, si dhe për Salihun avokatja Marigona Sejdiu, duke kërkuar që rasti të kthehet në rivendosje.

Ndaj ankesave, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ajo e Prokurorisë të aprovohet, ndërkaq e mbrojtësve të të akuzuarve të refuzohet si e pabazuar.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Sipas Gjykatës, pretendimet ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve nuk qëndrojnë që do të kushtëzonin anulimin e vendimit të Themelores.

Apeli ka sqaruar se vendimi i Themelores është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, në përputhje të plotë mes dispozitivit të vendimit dhe arsyetimit të dhënë.

Gjithnjë sipas Apelit, Themelorja ka vlerësuar drejt të gjitha provat që janë administruar gjatë gjykimit, duke dhënë arsye mbi faktet konkrete që janë nxjerrë nga ato prova të administruara. Po ashtu, sipas Apelit, shkalla e parë, për provat kontradiktore, ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore, duke i vlerësuar ato prova dhe duke dhënë arsye konkrete pse janë vlerësuar si të tilla – siç janë deklaratat e të akuzuarve në krahasim me ato të dëshmitarëve.

Kur bëhet fjalë për deklaratat e të akuzuarve që e mohojnë kryerjen e veprës penale, Gjykata e shkallës së parë, sipas Apelit, me të drejtë i ka vlerësuar si tendencë për shmangie nga përgjegjësia penale, sidomos kur ka bërë krahasimin e tyre me provat materiale në shkresat e lëndës.

Prandaj, sipas Apelit, përveç që qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme, asnjë fakt nuk ka mbetur i dyshimtë apo i pavërtetuar. Përveç që janë vërtetuar drejt, ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë.

Po ashtu, Apeli ka gjetur se shkalla e parë ka vlerësuar drejt kur për një pikë të akuzës ka liruar të akuzuarin Salihu, pasi që nga provat materiale dhe dëshmitarët është vërtetuar se ai nuk ishte prezent në disa raste të grabitjes.

Gjithashtu, edhe lidhur me lartësinë e dënimit, Apeli ka sqaruar se shkalla e parë drejt dhe ligjërisht ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit për secilin të akuzuar, veç e veç.

Aktakuza:
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 5 janar 2024, në pikën e parë të saj thuhet se më 30 korrik 2023, rreth orës 21:00, Arton Sekiraqa, Flamur Mula, Fitim Munishi dhe Xhevdet Salihu, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, përmes përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit, kishin hyrë brenda në lokalin “Interex”, duke kanosur të dëmtuarit E.B., N.J., R.V. dhe M.S., ua kishin marrë paratë në vlerë prej 6,700 euro dhe cigare në vlerë 600 euro dhe ishin larguar me veturën e tipit “Opel Vectra”.

Prandaj, me këto veprime, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Pikat e tjera të aktakuzës vijojnë sipas të njëjtit model të përshkrimit të veprave penale të pretenduara dhe të akuzuarve përkatës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat