Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Fushë-Kosovë, Dragash, Istog, Pejë dhe Gjakovë. Lidhur me këto raste, dy persona u dërguan në mbajtje.
Përmes raportit 24 orësh të Policisë, bëhet e ditur se në Fushë-Kosovë u arrestua një person nën dyshimin se ka sulmuar një grua, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Fushë Kosovë 17.08.2025, 14:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Në Dragash një burrë u arrestua nën dyshimin se sulmoi një burrë dhe një grua tjetër.
“Dragash / 17.08.2025-13:15. Është arrestuar i dyshuari kosovarë nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas tretmanit mjekësor, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në Istog një person u arrestua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
“Istog / 17.08.2025-02:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Kurse, në Pejë u shoqërua në Polici një grua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht dy tjera.
“Peje 17.08.2025, 22:50 Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Gjakovë një grua u arrestua nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje, e goditi me veturë një person.
Gjakovë / 17.08.2025-13:10. Është arrestuar e dyshuara kosovare nën dyshimin se e njëjta pas një mosmarrëveshje, me veturë e ka goditur veturën e viktimës mashkull kosovar. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa palët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.