Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Podujevë, Graçanicë, Fushë-Kosovë, Pejë dhe Vushtrri. Dy të dyshuar u dërguan në mbajtje.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Podujevë një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj. I dyshuari gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Podujevë 15.09.2025 – 14:00. Viktima femër kosovare, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Raportohet se në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një revole. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në Graçanicë një grua raportoi se djali i saj po ushtron dhunë ndaj saj. I dyshuari u arrestua.
“Graqanicë 11-16.09.2025 – 12:00. Më 16.09.2025 viktima femër kosovare, ka raportuar se djali i saj mashkull kosovar qe një kohë është duke ushtruar dhunë ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Kurse, në Fushë-Kosovë u arrestua një person nën dyshimin se i shkaktoi dhunë psikike gruas së tij. “Fushë Kosovë 16.09.2025 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i ka shkaktuar dhunë psikike gruas së tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Në Pejë, po ashtu një person u arrestua nën dyshimin se sulmoi bashkëshorten e tij
“Pejë 15.09.2025 – 21:00. Është arrestuar i dyshuarimashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Kurse, në Vushtrri një grua është arrestuar nën dyshimin se sulmoi nënën e saj due gjatë arrestimit e lëndoi një police.
Rasti u iniciua si “Dhunë në familje” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
“Vushtrri 16.09.2025 – 20:50. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, për shkak se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar nënën e saj. Po ashtu gjatë arrestimit e dyshuara e ka lënduar një zyrtare policore. Viktima dhe e dyshuara kanë pranuar trajtim mjekësor. Po ashtu trajtim mjekësor ka pranuar edhe zyrtarja policore. Pas inicimit të rastit viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës, ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.