Arrestohen dy persona dhe sekuestron mbi 2 kg kokainë e mijëra euro para të gatshme në Prishtinë

Kronikë

Arrestohen dy persona dhe sekuestron mbi 2 kg kokainë e mijëra euro para të gatshme në Prishtinë

Më: 22 tetor 2025 Në ora: 08:44
Foto nga vendngjarja

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë, si dhe mijëra euro para të gatshme gjatë një operacioni në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, Njësia për Reagim të Shpejtë – Prishtinë, më 21 tetor 2025, gjatë një pike të rregullt kontrolli ka ndaluar një automjet me targa të huaja, në të cilin ndodheshin një shtetas kosovar (drejtuesi i mjetit) dhe një shtetas i huaj (pasagjeri).

Gjatë kontrollit rutinor, shtetasi i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar nga policia pas një reagimi të shpejtë. Ai ka rezistuar në mënyrë agresive dhe ka sulmuar zyrtarët policorë.

Gjatë arrestimit, tek i dyshuari janë gjetur dy paketime me pluhur të bardhë, që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë, me peshë totale prej 2,270.6 gramësh (rreth 2.27 kilogramë).

Përveç drogës, policia ka gjetur dhe sekuestruar:

12,550 euro para të gatshme,

1,000 euro shtesë,

një telefon mobil.

Në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ndërsa është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe në shtëpinë e shtetasit kosovar. Nga kontrolli nuk është gjetur diçka e dyshimtë.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat