Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtetasit të Republikës së Shqipërisë, R.M., i akuzuar nga Prokuroria Themelore për një sërë veprash penale të natyrës së vjedhjeve në komunën e Gjakovës.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, i pandehuri R.M. është shpallur fajtor për tri vepra penale: “Vjedhje e rëndë”, “Vjedhje e rëndë në vazhdimësi e mbetur në tentativë” dhe “Vjedhje në tentativë”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata i shqiptoi të pandehurit një dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe gjobë në shumën prej 2,000 eurosh.
Sipas provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri ka vepruar në periudhën 6–15 korrik 2025, duke tentuar dhe kryer vjedhje në disa fshatra të komunës së Gjakovës, përfshirë Orize, Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje dhe Osek Hilë.
Në shumicën e rasteve, R.M. ka tentuar të depërtojë me forcë në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit, pa arritur të përvetësojë sende me vlerë. Megjithatë, më 15 korrik 2025, në fshatin Osek Hilë, ai ka arritur të marrë para dhe një orë dore, duke realizuar kështu veprën penale të vjedhjes së rëndë.
Palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.