Hajnat, grabitësit dhe plaçkitësit nuk patën pushim të dielën.
Të paktën në pesë zona të ndryshme të Kosovës u raportuan raste vjedhjesh e grabitjesh: u morën para, u hapën dyer e dritare me forcë, u thyen lokale, objekte e shtëpi, ndërsa qytetarë u kërcënuan e u sulmuan – disa prej tyre përfunduan edhe në trajtim mjekësor.
Në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë, persona ende të paidentifikuar dëmtuan tri aparate për pagesa, duke marrë rreth 200 euro. Një “vjedhje e rëndë” e shpejtë kjo, që la pas pajisje të dëmtuara dhe ngriti shqetësime për sigurinë.
Skena tjetër e krimit u regjistrua më vonë, në Viti, ku sipas raportimit të policisë, persona të dyshuar depërtuan brenda një objekti, e demoluan dhe kryen vjedhje. Brenda saj u panë, më vonë, shenja thyerjeje dhe dëme materiale, ndërsa hetimet kanë nisur për të sqaruar se çfarë u mor këtu dhe kush qëndron pas rastit, pasi keqbërësit nuk janë gjetur.
Pak pasi u ngrys, grabitësit e armatosur “u aktivizuan” edhe në Rahovec. Rreth orës 18 e 25 minuta, persona të maskuar dyshohet se depërtuan përmes dritares në shtëpinë e një viktime, e cila më pas u detyrua të kërkojë trajtim mjekësor. As në këtë rast nuk u raportua të jetë arrestuar kush, ndërsa hetimet, siç thotë policia, po vazhdojnë.
Rreth një orë më vonë nga ngjarja e hidhur në Rahovec, u raportua një grabitje tjetër, e cila mund të jetë kryer nga telashexhinj me përkatësi etnike tjetër, meqenëse kësaj radhe incidenti ndodhi në pjesën veriore të vendit, në Zhitkovc të Zveçanit, që banohet kryesisht nga serbët. Raportimet flasin se ajo çfarë ngjau këtu ishte edhe më alarmuese meqë, sipas policisë, tre persona të dyshuar hynë në shtëpinë e një qytetari dhe, nën kërcënimin e një pistolete, e sulmuan fizikisht dhe i grabitën një shumë parash. Viktima u trajtua mjekësisht, hajnat dhe sulmuesit nuk u kapën ndërsa u bë e ditur nga policia se prokurori u njoftua dhe hetimet po vazhdojnë.
Krejt afër mesnatës, në fshatin Sferkë të Klinës, ndodhi një rast tjetër vjedhjeje. Persona të panjohur, me përdorim force, depërtuan në shtëpinë e një mashkulli kosovar dhe vodhën para të gatshme si dhe stoli ari. Njësitë policore dolën në vendngjarje, ndërsa për rastin u njoftua edhe prokurori. Se kush ishin hajnat nuk dihet, pasi ata ikën, edhe në këtë rast, si në katër tjerat, ndërsa hetimet për t’i kapur ata, po vazhdojnë.