Një rast i posedimit të paautorizuar të armës është zbuluar në Podujevë, ku një i ri është kapur me armë në shtëpinë e tij pas informacioneve operative të policisë.
Ngjarja ka ndodhur më 05.04.2026, rreth orës 18:00, në rrugën “Shaqir Igrishta”, në fshatin Dumnicë e Epërme, ku siç mëson media, njësitë policore kanë ndërmarrë kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, me pëlqimin e pronarit dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, është gjetur një armë – pistoletë me gaz e tipit “Ekol Special”, si dhe një karikator pa fishekë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Siç mëson media, i dyshuari në këtë rast është Ensar Uka, i cili gjatë intervistimit ka pranuar se arma ishte e tij, por ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që posedimi i saj është i paligjshëm.
Me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.