Publikoi video me armë në Snapchat, bastiset shtëpia e 17-vjeçarit në Istog

Kronikë

Publikoi video me armë në Snapchat, bastiset shtëpia e 17-vjeçarit në Istog

Më: 29 maj 2026 Në ora: 21:37
Foto ilustrim

Një video e publikuar në rrjetin social Snapchat ka bërë që Policia e Kosovës të nisë hetime ndaj një të mituri nga Istogu, pasi në pamjet e shpërndara dyshohej se shfaqeshin armë zjarri.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se L.M., 17-vjeçar nga fshati Bellopojë, kishte publikuar më 20 maj një video-incizim brenda një automjeti, ku vëreheshin dy armë zjarri – një armë e shkurtër dhe një armë e gjatë.

Pas pranimit të informacionit, hetuesit kanë kontaktuar Prokurorin e Shtetit për të Mitur, i cili ka autorizuar kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.

Bastisja është realizuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, mirëpo gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë armë apo provë tjetër që do të ndërlidhej me pamjet e publikuara në rrjetin social.

Pas përfundimit të veprimeve hetimore në terren, i mituri është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog, ku është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me identifikimin e armëve të shfaqura në video dhe origjinën e tyre janë duke vazhduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat