Dogana e Kosovës ka zhvilluar një operacion të koordinuar në pesë lokacione në Rajonin e Prishtinës, në kuadër të luftimit të tregtimit të mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas një komunikate të Doganës, gjatë kontrolleve janë zbuluar dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm patikash të dyshuara si produkte të falsifikuara, të cilat mbanin emra dhe shenja tregtare të markave të njohura ndërkombëtare.
Vlera e përafërt e mallrave të konfiskuara llogaritet të jetë rreth 200 mijë euro. Të gjitha produktet e dyshuara janë sekuestruar dhe janë vendosur nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse për procedurat e mëtejshme ligjore.
Dogana bëri të ditur se aksioni është realizuar në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.