U bë gjysh dhe festoi me të shtëna në ajër – Policia i bastis shtëpinë dhe ia sekuestron armën në Malishevë

Kronikë

U bë gjysh dhe festoi me të shtëna në ajër – Policia i bastis shtëpinë dhe ia sekuestron armën në Malishevë

Më: 30 qershor 2026 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Një 63-vjeçar nga fshati Balincë i Malishevës ka përfunduar nën hetim pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër për të festuar lindjen e nipit.

Burimet e medias bëjnë të ditur se Policia e Malishevës ka pranuar informacione rreth orës 22:55 për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat. Pas verifikimit të informatave dhe identifikimit të të dyshuarit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisje në shtëpinë e Isni Gashit, rreth 63-vjeçar.

Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar një pistoletë Beretta, të kalibrit 9 mm, një karikator, 75 fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe një gëzhojë që dyshohet se i përket armës së sekuestruar.

Sipas hetimeve, i dyshuari posedonte leje për mbajtjen e armës. Megjithatë, gjatë intervistimit ai ka pranuar se kishte shtënë disa herë në ajër nga gëzimi për lindjen e nipit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat