Aksidenti tragjik në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, viktimë një 52-vjeçare
Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Policia njofton se në aksident janë të përfshira dy automjete dhe si pasojë ka humbur jetën një grua 52-vjeçare, derisa të lënduar kanë mbetur pesë persona.
“Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një viktimë femër, rreth 52 vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”.
Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, në koordinim me prokurorin e rastit janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti.
“Shoferi i dehur”, detaje për aksidentin tragjik në rrugën Mitrovicë-Prishtinë
Një person e ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.
Burimet e medias bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit.
Deri tek aksidenti dyshohet se erdhi kur shoferi i cili e ka shkaktuar aksidenti ka hyrë në kahje të kundërt të autostradës.
I njëjti sipas burimeve të medias dyshohet se ka qenë i dehur.
Shoferi është arrestuar dhe së shpejti pritet të lëshohet vendimi i ndalimit për 48 orë.
Aksidenti në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, humb jetën një grua
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, ku një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Lajmin për median e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:00 në fshatin Studime.
"Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Studime, është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Aksidenti ka rezultuar me pasoja fatale, ku një femër raportohet se ka humbur jetën dhe disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore", ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë reaguar ekipet emergjente dhe zjarrfikësit, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
"Ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar në vendin e ngjarjes, derisa policia po zhvillon hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit", tha Hoxha.
Ai ka apeluar për kujdes të shtuar në trafik, duke theksuar se ditëve të fundit janë shënuar disa aksidente me pasoja fatale.
"Ditëve të fundit ka pasur raportime për humbje jetësh nëpër rrugët tona si pasojë e aksidenteve në trafik. Policia po punon me ekipet e saj për parandalimin e tyre dhe marrjen e masave operative. Kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës. Mos t'i përdorin telefonat gjatë vozitjes, sepse shpërqendrimi gjatë vozitjes mund të jetë fatal për ta dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik", ka përfunduar Hoxha.
Aksident i rëndë në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, dyshohet për viktima
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.
Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se aksidenti ka shkaktuar viktima, ndërsa raportohet edhe për persona të lënduar.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa sipas raportimeve të para dyshohet se njëri prej tyre ka kaluar në kahun e kundërt të lëvizjes, duke shkaktuar përplasjen.
Rrethanat e aksidentit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa pritet që Policia e Kosovës të dalë me detaje lidhur me rastin.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me Policinë Rajonale të Kosovës për Mitrovicë, ndërsa është në pritje të një përgjigje.