Sulltan Mehmet pushtuesi dhe Skënderbe çliruesi

Kultura

Sulltan Mehmet pushtuesi dhe Skënderbe çliruesi

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 11 prill 2021 Në ora: 14:27
Mr. sci. Sylejman Salihu

Në historinë e njerëzimit, etja për lavdi i ka joshur me shumë imagjinatë e fantazi njerëzit e mëdhenj, që bota nuk mund t’ i harrojë kurrë. Janë vetë ata, që kanë bërë të mundur atë mos harresë, për të mbetur në kujtesën e njerëzimit, dhe që nuk shlyhet lehtë. Sa shumë pushtues ka njohur bota? Sa shumë lavdi kanë arritur ata në majat e lavdisë së njerëzimit? Aleksandri i Madh e Pirro Molosi, Çezari e Mark Antoni, Hanibali e Napoleoni e sa e sa të tjerë. Por një emër tjetër që doli nga Azia e Vogël dhe që mori edhe ndajshtesën pushtuesi, ishte një sulltan, i cili fare në moshë të re, e kërkonte lavdinë dhe mbase edhe jetonte për të. I biri i një sulltani me emrin Murati, Mehmeti me vetëm 21 vjet i hyri një aventure të madhe, pafundësisht të çmendur: të pushtojë një kryeqytet, madje një kryeqytet të një perandorie të madhe që quhej me emrin perandoria e Bizantit dhe t’ ia kalonte me zotësi dhe lavdi gjyshit të tij Bajazitit. Dhe cili ishte ai qytet? Cili ishte ai qytet që ia prishte gjumin e natës djaloshit ëndërrimtar? Ishte Kostandinopoli,i cili ishte krijesë e një perandori ilir, me emrin Kostandini i Madh. Ai që arriti të bënte një kryeqytet të një perandorie, që mahniti një botë të tërë, që njohu krishterimin dhe që vuri rregulla për të. Lavdia dhe mrekullia e këtij qyteti kishte bërë që t’ ia ndizte imagjinatën edhe këtij pushtuesi të ri, i cili gjendej përpara një dileme të madhe: të ishte apo të mos ishte! Ai nuk kërkonte pasuri, ai kërkonte lavdi.

Përse më doli ky emër përpara sot në tavolinën e shkrimit?

Teksa shikoja librat e bibliotekës sime, syri më vuri re një libër krejtësisht të vockël, të një shkrimtari tepër të madh e shumë të adhuruar dhe të lexuar në botën e librave. Ishte Stefan Cvajgu me librin e tij” Pushtimi i Kostandinopojës”. E marr librin në dorë, e shikoj, e shpalos dhe shoh se librin e kisha lexuar në korrikun e vitit 2009. Por tash sikur nuk më mjaftonte leximi i atëhershëm dhe librin e marr përsëri për lexim. S’ është një libër i madh, që të harxhon ditë, është një libër që përpihet për dy orë. Ndaj dua sërish ta rilexoj, sepse shumë gjurmë të leximit të parë, tashmë ishin fshirë.

Përse flet ky libër? Sikur vetë titulli e thotë: pushtimin e një kryeqyteti, që dikur ishte Evropë, e sot është bërë edhe Azi. Atë po e lakmonte me gjithë çmendurinë e tij një bir sulltani, të cilin gjumi i natës nuk po e zinte, pa e bërë të tijin këtë qytet. Por mënyrën se si na e paraqet gjeniu Cvajg, është edhe një detyrim më shumë për ta rilexuar këtë. Sulltan Mehmeti, i joshur nga historia dhe lavdia e qytetit të Kostandinit dhe Justinianit, donte të hynte me çdo kusht njëherë përtej mureve të tij rrethuese. Kishte bërë njëmijë plane si t’ ia dilte kësaj aventure, e cila s’ ishte e lehtë për t’ u bërë. Por ky njeri dinak dhe i pabesë, do të angazhonte gjithë superstrukturën ushtarake për ta bërë realitet këtë ëndërr. Ndaj kishte nisur edhe hapi i parë. Mehmeti i kishte hipur doriut të tij arab si një kalorës mesjetar dhe pa vonuar kishte dalë në Galipol. Në Kostandinopol po bëhej mesha e pajtimit, ku perandori Kostandin Dragoshi, kishte hetuar hilenë e djaloshit 21 vjeçar, ndaj edhe po kërkonte pajtimin e dy perandorive: të Lindjes dhe të Perëndimit. Deri në këtë kohë turqit ishin zotër vetëm të Bosforit, kurse tashti ai i bashkoi gjithë pashallarët e tij dhe ua tregoi planin e pushtimit të Kostandinopolit. Një plan ambicioz, i një njeriu me ambicie të zjarrta pushtuese. Por për të hyrë brenda në qytet duhej kapërcyer një mur, një mur jo të zakonshëm, një mur tepër të madh dhe tepër të lartë. Një mur prej tre muresh. Kur e kishte ndërtuar perandor Teodosi, sikur kishte dashur ta shpërfaqte edhe krenarinë edhe madhështinë, edhe fuqinë e tij bashkë me atë të Kostandinit dhe të Justinianit. Dhe a mund të shembej ky qytet i fortifikuar me mure aq të larta dhe aq të gjera. Duhej menduar mirë kjo punë dhe për t’ ia arritur qëllimit duhej investuar ushtri të madhe dhe armatim të madh. Duhej ushtarë dhe topa artilerikë, të bërë për herë të parë në atë kohë e mbi të gjitha duhej guxim, duhej durim, dhe mbi të gjitha duhej sakrificë. Por mjeshtrit ishin gjetur sepse hungarezi Urban ishte gati, që t’ i vinte kundrejt dëshirës plot zjarr të princit të ri të Anadollit. Asnjë vdekje nuk guxonte ta ndalonte rrugën e triumfit. Asnjë ëndërr e trishtë, asnjë hezitim, asnjë dilemë. Por, nëse nga deti nuk do të bëhej e mundur, se evropianët gjenovasë dhe venedikasë nuk do ta lejonin, atëherë befasia do t’ i zë ata përtej malit, ku disa topa gjigantë duhej të kalonin matanë. Si do të realizohej kjo prandaj? Mjaftonte vetëm plani pushtues, dëshira dhe vullneti se rruga do të gjendej. Shtroi rrugën me zhavorr të rrafshët dhe mbi zhavorr shtroi rula të drurit të lyer me rrëshirë dhe mbi këta drurë vuri topat gjigantë 8 metra të gjatë, që tërhiqeshin nga 50 qe të fortë, ndërsa anash i mbanin në ekuilibër 200 ushtarë. Njëzet a tridhjetë topa të tillë ndoqën këtë rrugë dhe tashmë ishin gati për ta goditur nga të gjitha anët murin gjigant të kryeqytetit. E brenda murit rrethues sikur dikur në Trojë, prisnin nën ankth mbi 8000 veta të ngujuar dhe pothuajse edhe të robëruar. Kot po prisnin që të vinin në ndihmë evropianët! Ata po mungonin, ata po vononin, ndërsa flota turke po endej si një paralajmërim kërcënues në Detin Marmara. Si edhe Trojës dikur, tash Kostandinopolit po i kërcënohej pushtimi, por jo më nga grekërit, se tash vetë grekërit po kërcënoheshin nga aziatët. Kush ishte ai që kërcënonte? Kush ishte ai që po kërkonte sherr, kush ishte ai që po ndillte vdekje. Po, ishte Mehmet Pushtuesi, ai që i kërcënonte kostandinopojasit egërsisht dhe fatalisht në stilin “ose..ose.” Cvajgu, ky kronikan i fjalës së bukur, shënon: ”Nëse nuk fitoni, mos u ktheni të gjallë”(37). Atëherë ç' mund të ndodhte, veçse i priste ose vdekja, ose lavdia. Lufta tashmë kishte filluar, sepse çdo vonesë ishte edhe një pengesë, mbase ishte edhe një ndalesë. Edhe pushtuesit dhe mbrojtësit tashmë kishin hyrë në arenë të luftës, jo në tokë, por në det. Cvajgu vazhdon: “përleshja detare u kthye në luftë për jetë a vdekje, njëlloj si në ndeshjet e gladiatorëve”(37). Por për ta çuar planin e pushtimit më tej, duhej dalë te “Briri i Artë” E si do të dilej andej? Si do të dilej mbanë? Sepse sërish është mali në mes. Por gjeniu lakmitar ka sërish një plan gati. Rruga e shtruar me rula të drurit do të bëjë që nëpër mal të kalonin galerat e shpejta të flotës turke. Një flotë detare mund të ecte nëpër det dhe kurrë s'ishte parë as dëgjuar se mund të çante malin. Por ja që po ndodhte. Mbi karrot e ndërtuara, do të ngarkohen 70 galerat e vogla, por të shpejta, të cilat do të ishin shpresa dhe shpëtimi i kësaj aventure të madhe. 8000 mbrojtës duhej t’ u bënin ballë 150 000 sulmuesve që kishin mësy qytetin. A nuk ishin pak mbrojtës kundrejt kaq ushtarëve pushtues, sado kishin një mur rrethues? Por vazhdon mëtej Cvajgu: “çmenduria e guximtarëve e paralizoi vigjilencën e kundërshtarit.” Gjashtë javë ishte bombarduar qyteti me topat e mëdhenj si përbindësha duke vjellë tym ,duke vjellë flakë, duke vjellë vdekje. Muret ishin çarë dhe shihej sheshit dëmtimi i tyre. Por edhe një joshje nga sulltani për ushtarët nuk mungonte. Duhej dhënë zemër atyre dhe bashkë me të duhej dhënë edhe ndonjë premtim për plaçkë. Përndryshe përse bëhen luftërat?

“Sulltan Mehmeti betohet me emrin e Allahut, me emrin e Muhametit dhe të 400 profetëve, betohet për shpirtin e të parëve, të atit të vet, sulltan Muratit, betohet përulësisht për jetën e fëmijëve të vet, betohet me nderin e shpatës së vet se pas pushtimit të qytetit, do t’ ju dhurojë ushtarëve vet të drejtën për të bërë plaçkë gjatë tri ditënetëve”(55). Atëherë ndodh edhe pushtimi. Por për të qenë më i lehtë, atë e ndihmon edhe një harrim dhe mungesë vigjilence fatale: deriçka e hapur e kryeqytetit. Nëpër atë kerkaportë po hynte vdekja për bizantinët kostandinopojasë. Edhe lavdia e Pushtuesit u rrit, edhe premtimi për plaçkë u mbajt. Kështu në vend të kryqit të madh të krishterimit në Aja Sofia u valëvit gjysmëhëna islame me mesazhet e shenjta kuranore. Tashmë më 29 maj të vitit 1453 gjysmëhëna islame kishte rrëzuar përtokë kryqin e madh të krishterimit.

*

Po Skënderbeu ç’ ka në këtë mes? Përse duhej të bëhej ai pjesë e këtij shkrimi? Jo krejt rastësisht. Skënderbeu ishte kthyer në Shqipëri në vitin 1443, domethënë dhjetë vjet më përpara se të pushtohej Kostandinopoli. Por po ky Sulltan Mehmeti një ditë do t’ ia mësynte edhe kështjellës së Krujës. I mësuar me lavdi, teksa kishte marrë me forcën e krahut kryeqytetin e një Perandorie, ai kishte menduar se do t’ ia dilte mbanë, madje me lehtësi ta përpinte kështjellën e vockël të Kastriotëve në Krujë, ku Skënderbeu tashmë radhazi po thyente dhe po i kthente me turp prapa ushtritë dhe sulltanët e Perandorisë Osmane. Kishte provuar njëri, pastaj kishte provuar edhe tjetri dhe kështu radhazi kishin provuar shumë të tjerë. I zemëruar se asnjëra ekspeditë pushtuese nuk po e shkelte me këmbë Krujën e Skënderbeut, një ditë vet ky sulltan Mehmeti ishte nisur për ta bërë zap rebelin e Arbërisë, që ishte larguar nga sulltani dhe ia kishte kthyer jo vetëm shpinën, por edhe shpatën me dorën dhe krahun e tij të fortë. Kështu, duke dashur që ta rifusë edhe njëherë në dorë princin e Arbërisë, siç e kishte pasur i ati i tij njëherë si jeniçer në ushtrinë e tij, ai mësyu me një ushtri shumë më të madhe se ajo kur pushtoi Kostandinopolin, me rreth 200 000 të tillë, me të cilët mendonte se do ta fuste nën kthetrat e tij Skënderbeun. Por kot ishte munduar ai. Kot kishte bërë plane gjithë natën e lume me gjithë pashallarët e tij dhe kot i ishte lutur edhe Allahut! Kruja e vockël do t’ i dilte jo njëherë më e madhe se Kostandinopoli, por shumë herë më e madhe. Jo me muret e saj, jo me arealin gjeografik, jo me luksin dhe salltanetin bizantin, por me diçka tjetër: Kruja do t’ i bëhej atij një arrë e fortë, të cilën ai do të provonte ta thyente, por në fakt ai i kishte thyer dhëmbët e tij.

Kot i kishte bërë lajka të bukura e të ëmbla Princit të Arbërisë, sepse Skënderbeu mendjen e kishte top për t’ i ndejtur besnik atdheut të tij deri kur do ta kishte frymën e tij të fundit.

Në librin e tij historik ”Histoire de Scanderbec ou Turks et Chretiensau XV siecle” të vitit 1855 të historianit francez Chamile Paganel gjejmë një letërkëmbim diplomatik të Mehmet Pushtuesit dhe Skënderbe Çliruesit. Në këtë letërkëmbim nuk duket më ai Mehmet Pushtuesi i egër, e i hazdisur që kalëron mureve të Kostandinopojës me tërë egërsinë dhe lavdinë mbi prenë e tij bizantine. Jo, në këtë letërkëmbim duket një sulltan i butë si qengji, tek i bën lajka Skënderbeut dhe i lutet për paqe vëllazërore.

“I shtrenjti Skënderbe, nuk njoh miqësi më të përzemërt se sa ajo e intimitetit (familjaritetit) të gjatë, sidomos kur ajo lind që në rini, si në rastin tonë, atëherë kur ti mbaheshe peng tek babai im, dhe kur të dy jetonim bashkë vëllazërisht”. Pastaj po ky sulltan vazhdon duke i përmendur Skënderbeut gëzimet e ëmbla të viteve që kishin kaluar bashkë në Adrianopojë dhe prandaj i kërkon një takim miqësor e vëllazëror për të biseduar punët për një paqe të përbashkët midis tyre.

“Asgjë nuk mund të më sjellë më shumë kënaqësi, marr Zotin për dëshmitar, se sa të ri-takoj më në fund, për të kaluar ca kohë në praninë tënde.” Dhelpra e pabesë e Stambollit do të bënte çmos për t’ia dalë mbanë që të fuste në dorë me tradhti dhe mashtrim, mbretin dhe lavdinë e Luanit të Arbërisë. Ai nuk kërkon pushtim të Arbërisë, por kërkon vetëm “lejekalim në tokat e tuaja për trupat e mia, që të shkojnë për të luftuar venedikasit”!!!

E së dyti çka i kërkonte?

Së dyti ai i kërkonte Gjergj Kastriotit atë që vetë babai i tij Sulltan Murati ia kishte kërkuar dhe ia kishte bërë babait të Gjergj Kastriotit, Gjon Kastriotit, kur ia kishte marrë djemtë: marrjen peng të djalit të tij!!!

Doemos që përgjigjja nga Arbëria do t’ i vinte menjëherë Mehmet Pushtuesit.

“Kështu aleat dhe mik i vendedikasve, nuk mundem pa shkelur mbi betimin dhe dinjitetin tim të të jap lejekalim për t’ i sulmuar”-shkruante Skënderbeu. Po për djalin? Ç’ përgjigje do t’ i jepte ai për djalin?

“Përsa i përket dhënies peng të djalit tim, për të pasur atë si nyje të një lidhje të re mes nesh,zemra e një babai dhe e një nëne nuk mund të përballojnë një sakrificë të tillë. Është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhuruar dhe është akoma i mitur. Përveç kësaj do të shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk rritet me zakonet dhe fenë e vendit të tij”. Pastaj mbetej vizita apo ftesa për një vizitë, që sulltani zemërgjerë ia bënte Skënderbeut. Ndonëse ia ofronte me “bujari” e zemërgjerësi këtë vizitë Mehmet Pushtuesi Skënderbeut, ky i fundit pa asnjë ngurrim do t’ ia kundërshtojë dhe do t' i shkruajë lartmadhërisë sulltanore:

”Fatkeqësisht për mua ky udhëtim në Kostandinopojë, i cili më sjell ndërmend shumë kujtime, nuk është i mundur ngaqë përkujdesem për qeverinë time, sepse po të vij, nuk mund të drejtoj si duhet këtë komb krenar shqiptar, po aq të zjarrtë dhe të pathyeshëm, sa edhe të padurueshëm për pushim(paqe)”.

Kështu një sulltan që theu një perandori, nuk arriti të thyejë një grusht Arbëri. Sepse Skënderbeu dhe populli i tij shqiptar e mundi sulltanin edhe me idealet, edhe me forcën, edhe me moralin, edhe me strategjinë ushtarake, edhe me atdhetarinë arbërore. Pse jo prandaj Skënderbe Çliruesi, nuk qëndron shumë më lart se kundërshtari i tij anadollak Sulltan Mehmet Pushtuesi?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat