Merr udhë çmimi At’ Gjergj Fishta në gazetari…

Kultura

Merr udhë çmimi At’ Gjergj Fishta në gazetari…

Nga: Martin Dedaj Më: 26 tetor 2021 Në ora: 18:45
Gjergj Fishta

Për dy ditë me radhë në qytetin historik të Lezhës në datat 21-22 Tetor 2021, në kujtim të 150-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar At’ Gjergj Fishta, Unioni i Gazetarëve Qarku Lezhë, nën kujdesin e Kryesisë së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe kreut të tij gazetarit dhe analistit të njohur Aleksandër Çipa, ka organizuar një aktivitet të rëndësishëm për të nderuar këtë figurë të shquar të kombit shqiptar dhe për ta vendosur në traditë ndarjen e çmimeve në fushën e gazetarisë.

Në këtë event i pari i këtij lloj në shkallë kombëtare, përveç të ftuarëve nga të gjitha degët e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë të qarqeve të vendit, morën pjesë autoritete të pushtetit vendor të Lezhës, si dhe shumë personalitete të fushës së medias, historisë artit, kulturës, jetës publike, biznesit etj. Të ftuarit në këtë aktivitet, pasditen e së enjtes datë 21.10.2021 u takuan në Shëngjin në ambjentet komode të Resortit Turistik “Tanushaj”, ku dhe u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Lezhës, gazetari i njohur Gjergj Figuri, pasi vlerësoi dhe falenderoi pjesëmarrësit e pranishëm, bëri me dije, se, “… kjo veprimtari është mundësuar nga Bashkia Lezhë, AZ Group, Hoteli i Gjuetisë, Restorant Rapsodia dhe z. Zef Shtjefni, dhe do të ketë një udhëtim të përvitshëm, duke bërë të mundur inkurajimin e gazetarëve kurajoz në punën e tyre, dhe gazetarinë cilësore, në rajonin e Lezhës dhe jo vetëm”.

Aktiviteti është moderuar nga gazetari dhe publicist i njohur Gjergj Marku, dhe pati vlerën e një mirënjohjeje ndaj personalitetit të madh kombëtar, si dhe do të shërbejë për të nxitur dhe inkurajuar brezin e ri të gazetarëve në qytetin e Lezhës, habitati i të cilit ndër vite ka kultivuar plejada klerikësh, historianësh, artistësh, poetësh, shkrimtarësh, publicistësh, kronikanësh, por dhe gazetarësh, që kanë bërë emër në rang kombëtar. Se trualli i Lezhës është kryekreu i historisë kombëtare; me Lidhjen e Lezhës së 2 Marsit 1444, dallëndysheve të shkollava të para shqipe, shkollës së Velës së Vendit (1632) dhe gjimnazit të Zadrimës (1639), në mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar me Kuvendin e Arbnit 14 Janar 1703, shkollës poetike të Lezhës të shekullit të kaluar dhe shkollës së gazetarisë me gazetën e parë të pavarur “Koha Jonë” në fillimet e pluralizmit politik në vend (1991), e plot evente të tjera kombëtare që shoqërojnë këtë trevë në rrjedhën e historisë së saj.

Në këtë aktivitet përshëndeti prefekti i Lezhës zoti Gjokë Jaku dhe emra të njohur te gazetarisë si Frrok Çupi, Aleksandër Çipa, Martin Dedaj, Ndue Dragusha e Aurora Nikolli, si dhe përfaqësuesi i biznesit Alban Zusi etj, që e konsideruan këtë nismë si një hap të vyer për shkollën dhe trashëgiminë fishtiane në gazetari e sidomos në publicistikë. Përveç gazetarëve të ftuar nga unionet e gazetarëve të qarqeve të vendit morën pjesë edhe disa gazetarë dhe publicistë të rajonit të Lezhës si; Marash Mirashi, Zef Shtjefni, Rrok Lelçaj, Gjergj Marku, Ndue Dragusha, Jak Rrozhani, Aleksandër Ndoja, Martin Dedaj, Lindita Koka, Altin Mema, Elvis Hila, Martin Marku, Vera Deda , etj.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera tha se: “Është kënaqësi që, në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të startojmë sot me këtë aktivitet edhe pse është një nisëm lokale e Unionit të Gazetarëve të Qarkut të Lezhës, që të sjellim në vëmendjen tonë si një stimul për atë që unë e konsideroj ambicie profesionale të komunitetit tonë, një nga emrat më të mëdhenj emblematik të kulturës shqiptare. Është bërë pothuajse si traditë më shumë se prej 28 viteve, që emri i At’ Gjergj Fishtës i referohet përgjithësisht kulturës, sepse ai pëfaqëson ndoshta vokacionin më të lartë kombëtar për erudicionin dhe kryesisht për gjithë kontributet e dhëna në të gjitha lëmitë e jetës tonë. Pasi ai është një nga personalitetet e mëdha kombëtare. Për këtë arsye më duket se jemi të vonuar për të marrë në kontributin e tij atë pjesë që është jo vetëm e pa tejkalueshme, jo vetëm e pa rivalizueshme. Por është pa dyshim një nga referencat më të shkëlqyera për ta renditur gazetarinë shqiptare, sidomos atë të mendimit dhe socilogjisë e të kulturës në nivelet e publicistikës dhe gazetarisë publicistike më të larta, që ka evropa e shekullit të XIX-të. Vlerësoj nismën dhe ambicjen e kolegut Gjergj Figuri në ideimin dhe realizimin e kësaj veprimtarie e cila do të vazhdohet si një traditë e shkëlqyer për të mbajtur emblemën, jo thjeshtë si një metaforë emblematike por si një referencë e shkëlqyer për kualitetin e munguar të gazetarisë shqiptare”.

Janë nderuar me çmimin “At Gjergj Fishta” në publicistikë Frano Kulli me motivacionin: “Për shkrimet publicistike në mediumet kombëtare, ku informacioni enciklopedik bashkohet me elekuencën e mendimit bashkekohor me një stil të shprehuri, i cili lë gjurmë në informimin e opinionit publik dhe nxit mendimin kritik te lexuesit”, në reportazh Ndue Dedaj me motivacionin: “Një shembull i mrekullueshëm i gazetarit të talentuar për të shkruar dhe paraqitur të vërteta etnokulturore dhe shoqërore, duke ia dalë të hedhë dritë mbi pjesë të vendit dhe shoqërisë të cilat i zbulon dhe sheh si rrallë kush”, në sociale Ndue Dragusha me motivacionin: “Përmes raportimeve dhe shkrimeve të publikuara në gjithë spektrin e shtypit dhe mediave të reja lokale, ia ka dalë të pasqyrojë çeshtje të mprehta sociale dhe problematika të lidhura me përditshmërinë e komunitetit”, si dhe një çmim special për gazetarin dhe publicistin Preng Baloj (pas vdekjes).

Në përshëndetjen e tij publicisti dhe botuesi Frano Kulli, ndër të tjera tha se: “Ndjehem i emocionuar pasi për mua është një surprizë vërtet e këndshme. Për këtë falenderoj sinqerisht Degën e Unionit të Gazetarëve të Lezhës dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, që na kanë në kujtesë. Ndjehem dyfish i nderuar sepse çmimi mban emrin e nderuar të personalitetit më të lartë të gjuhës, traditës, kulturës, gazetarisë dhe publicistikës, shqiptare At’Gjergj Fishta”, ndërsa botuesi i gazetës LissAlba Ndue Dragusha, pasi u kërkoi ndjesë të pranishmëve për emocionet e qastit u shpreh: “Falenderoj me gjithë zemër Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë dhe kryetarin e tij z. Aleksandër Çipa, degën e Unionit të Gazetarëve të Lezhës me kryetar Gjergj Figuri dhe gjithë këtë panel të nderuar që merr pjesë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm. Ky vlerësim është një impuls për energji më të reja në të ardhmen, për të dhënë sa më shumë për qytetin tonë dhe vendin tonë”,

Teksa ka tërhequr çmimin e akorduar në reportazh, gazetaria e re Aurora Nikolli ka thënë se: “Është nder dhe privilegj për mua, që të tërheq një çmim për një mirditor si Ndue Dedaj i cili ka shkëlqyer në gazetari duke lëvruar një zhanër i cili është sa i vështirë aq dhe interesant siç është reportazhi, dhe uroj që seicili nga ne që jemi të pranishëm këtu të kontribojmë gjithnjë e më shumë që gazetaria të bëhet më e mirë, më profesionale dhe dinjitoze”, ndërsa gazetari dhe publicist Martin Dedaj që ka tërhequr çmimin special ndër të tjera është shprehur se: “Për së gjalli për të ndjerin Preng Baloj pata shkruar dikun, se ai është i harruari i pushteteve. Por më vjen mirë, që ai nuk është i harruari i djepit prej nga “u lind", i djepit në të cilin u rrit, dhe i djepit që përkundi plejada të tëra të gazetarëve, jo vetëm në rang Lezhe dhe rajoni por dhe më tej. Respekt dhe mirënjohje për Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë kryesuar nga z. Aleksandër Çipa dhe Degën e Unionit të Gazetarëve të Lezhës, kryesuar nga z. Gjergj Figuri për këtë aktivitet dhe vlerësimin e akorduar ndaj gazetarit dhe publicistit të ndjerë Preng Baloj”.

Pas përfundimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, aktiviteti ka vijuar me darkën e shtruar në Restorant “Rapsodia” me pronar z. Alfred Marku, që ishte konceptuar në formë spektakli, bashkëbisedimi dhe argetimi nga të pranishmit dhe performim i këngëtarëve; Artan Kola e Donika Ndoj, shoqëruar në kitarë nga babë e bir Flamur e Atilio Toska dhe organo Behar Selimi. Emocione për të pranishmit sollën interpretimi nga Flamur Toska, pjestar i grupit të famshëm “Djemt e Detit” i këngëve të këtij grupi dhe solistit të ndjerë Gentjan Demalia, të cilat u kënduan në kor nga të gjithë të pranishmit, ku kënga e Jakup Ferrit “ndezi” atmosferën e asaj mbrëmbje mbresëlënëse.

Në ditën e dytë të aktivitetit gazetarët e ftuar nga të gjitha degët e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në vend, tek Hoteli i Gjuetisë patën një takim informues dhe mirëseardhës me kryetarin e Bashkisë së Lezhës zotin Pjerin Ndreu i cili i njohu myafirët me projektet e inkurajuara nga bashkia e Lezhës, në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së At’ Gjergj Fishtës si dhe në lëmi të muzeologjisë dhe atë të trashëgimisë. Ndërkohë më pas gazetarët u bënë pjesë e aktivitetit poetik të organizuar nga Klubi i Letrave "Ndoc Gjetja" dhe e mbyllën axhendën e veprimtarisë në kompleksin agrokulinar “Mrizi i Zanave” në Fishtë.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti mbresëlënës, gazetaria e mirënjohur Anila Basha në statusin e saj të fb, është shprehur se: “Në Lezhë na mblodhi Gjergj Figuri për edicionin e parë të çmimeve “At Gjergj Fishta” për gazetarët e këtij qyteti. Një aktivitet super fantastik. Urime kolegëve të Lezhës për seriozitetin e dy ditëve dhe pafund urime për fituesit e çmimeve. Me çmimet “Petro Marko” në Vlorë, “Hamit Boriçi” në Shkodër, çmimin “Fatos Baxhaku” në Gjirokastër, e çmimet “At’ Gjergj Fishta” në Lezhë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë po krijon një traditë motivuese për brezat e rinj të gazetareve”.

*Anëtar i Uninionit të Gazetarëve Shqiptarë

Dega Lezhë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat