"Modele imagjinare në një botë reale"

Kultura

"Modele imagjinare në një botë reale"

Nga: Burim Myftiu Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 09:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Jemi duke jetuar në një kohë me larmi imazhesh dhe konceptesh, ku çdo krijim i artistit është i veçantë dhe efektiv dhe vlen sa njëmijë fjalë. Pra, një larmi idesh dhe emocionesh që me shumë lehtësi i përqendrojnë në një fotografi të vetme. 

Ashtu ndodh edhe me veprat e Burim Myftiut, të cilat ka kohë që i admiroj, i respektoj dhe i shijoj, thjesht nga perspektiva e artit bashkëkohor.

Imazhet e kukullave ofrojnë një përshkrim në dukje të vërteta, të ndjera dhe konceptuale, ku herë duken si abstrakte e të pakapshme, e herë si reale.

Autori përmes këtyre imazheve, arrin të menduarit konceptual si udhëzues në krijimin e një vepre arti. 

Këtu shihet qartë se shqetësimi kryesor i Burimit, është përhapja e idesë përmes instalacionit me një gërshetim imazhesh që portretizojnë me saktësi konceptin e tij. 

Pamje të ndryshme të modeleve të ekspozuara nëpër butiqe apo rrugë, në mënyra nga më të ndryshmet, të veshura herë me shije e herë pa shije, të dëmtuara apo të përhitura nga pluhuri, mund t’i hasim kudo pasi ato janë pjesë e përditshmërisë sonë. 

Janë karaktere të njohura për syrin tonë, pasi ato kanë një funksion për të reklamuar veshmbathjet e modës së fundit.

Këto, për Burim Myftiun, kanë rol të dyfshtë apo trefishtë. Ai orvatet që modeleve, përmes imazheve, videos dhe performancës tu japë një detyrë të re, një funksion tjetër të ngërthyer në një koncept.

Rrobat e tyre janë thuajse të padukshme, duken sikur përpiqen të fshehin e maskojnë gjendjen shpirtërore të tyre, kujtimet dhe të gjitha ato përvoja të tmerrshme nga e kaluara nga lufta në Kosovë. 

Manekunet e Burim Myftiut, tashmë nuk reklamojnë rrobat, por me shprehjet e fytyrave me gjymtyrë të thyera, hundë e sy të pazakonta, rrëfejnë një histori, zhgënjim dhe tmerr. 

Ato bartin një mesazh tek shikuesi dhe zgjojnë një ndjenjë ankthi, duken sikur bëjnë dialog të shurdhër me ne duke qenë dëshmitarë të ëndrrave mashtruese. 

Nuk është rastësi që Burimi e trajton këtë çështje, sepse ajo paraqet një dramë dhe dilemë të veçantë për artin në përgjithësi.

Nga një gamë e larmishme perspektivash, fytyrat e manekineve vazhdojnë të jenë të thjeshta pa ndonjë galvanizim estetik, duke kryer funksion reklamues rrobash në një mori mjedisesh, tregjesh, dyqanesh. 

Ato janë portrete modelesh imagjinare në një botë reale.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat