Bota e naftëtarëve në rrëfenjat e librit të Dhimitër Gjinit

Kultura

Bota e naftëtarëve në rrëfenjat e librit të Dhimitër Gjinit

Nga: Nuri Plaku Më: 8 qershor 2022 Në ora: 23:16
Koertina e librit

Të flasësh për një libër me ndodhi nga jeta e naftëtarëve, do të thotë të kesh pak ndjesi nga thellësitë e nëntokës, të ken djegur sytë nga pagjumësia e turneve të treta, të jen mpirë supet nga ngrica e dimrave të ashpër, të kesh përjetuar tmerrin e fontanave e mbi të gjitha, të kesh ndjer në gjakun tënd shijen e hidhur të gazit sulfuror. Kjo do të thot të jesh naftëtar i terrenit dhe të gjesh veten në kohën dhe personazhet e sjell në librin e Dhimitër Gjinit. Atëherë, përmbi të gjitha, të kapëlojnë kujtimet e së kaluarës dhe pa u ndjerë, futesh në realitetin e asaj kohe që vet naftëtarët e krijuan me punën e tyre, dhe e zbukuruan me humorin e tyre.  

Naftëtarët janë njerëz me botë të madhe dhe humor, çka duket në sinqeritetin e shprehjes dhe mbi të gjitha në guximin e tyre.

    Dikur Kadare e ka identifikuar rrjedhën e naftës me flokët e grave, duke krijuar një metaforë sa të bukur, aq dhe romantike. Në të vërtetë, rrjedha e naftës i ngjan  flokëve të Meduzës, gruas së legjendës antike, kthyer në gjarpërinj, që të kafshonin, duke derdhur në mushkritë e naftëtarëve  helmin e tyre të zi me emrin fenole. Por pikërisht nga ky realitet i brustë i kohës së monizmit, naftëtarët shfaqën një tjetër pamje, botën e tyre të humorit, mençurisë dhe largpamësisë së tyre. Pikërisht kjo botë është dhënë në rrëfenjat e librit të Dhimitër Gjinit dhe kjo përbën një prurje nteresante dhe me vlerë për lexuesin e sotëm.

      Libri është një përzierje batutash, thëniesh e grimca jete që të befasojnë me freskinë dhe origjinalitetin e tyre, për të njohur natyrën e punës,vështirësitë dhe jetën sociale të personazheve. Në përbërjen e tij nuk ka krijimtari të mirëfilltë artistike, as formula filozofike, as interpretime, por, ndërkohë, është i tëri art dhe filozofi e mbi të gjitha interpretim i një kohe të caktuar. Ky diversitet është i dukshëm sepse arti, filozofija dhe interpretimi kohor jan pronë e naftëtarëve, jan prodhim bruto i intelektit të tyre. Autori vetëm i ka mbledhur si një koleksionist i devotshëm dhe i ka sjellë para neshë duke ju dhënë dritë e vlera të reja sociale. Cdo rrëfenjë jepet në libër me adresë të saktë, me emra real dhe pa u komentuar. Secila prej tyre ngjason me një fotografi që kushdo mund të zhytet e të vëzhgojë kohën dhe jetën e një brezi naftëtarësh.

     Si në çdo sektor tjetër të ekonomisë shqiptare, edhe tek naftëtarët, jeta kolektive dhe ngarkesa e punës ka qënë në kuotat më të larta të vështirësive, për shkak të kushteve kantieriale dhe kërkesave të ashpra dhe disa herë absurde të sistemit monist. Nëse ata, do kishin shkruar ditarin e tyre, kjo do të ishte historia e një sakrifice të jashtzakonshme që mund të krahasohej vetëm me periudhat e luftrave. Sepse e tillë ka qenë ndeshja me grykat e puseve, ndeshja me flakët e fontanave të cilat tragjikisht kanë qenë të shpeshta dhe mbi të gjitha, ndeshja e tyre me politikën, me shtetin i cili, për të vendosur diktatin, bënte presion me akuza nga më të pabesuarat  duke i akuzuar specialistët si sabotator e agjent të të huajve. Kjo luftë në paqe ishte si një sirtar i fshehtë në tavolinën e madhe të ekonomisë sonë kombëtare. Kam pasur gjithmonë mendimin se nafta krahasohej me minierat e metalit dhe burgjet, pasi puna në ambientet e hapura dhe të ndotura me gazet helmuese, ishte si një Bulqizë apo Spaç ku galeritë dhe qelitë e revoltës, merrnin herë pas here, taksën e tyre njerëzore. Viktimat e Cakranit, Ballshit, Gorishtit etj, helmimet, pushkatimet, torturat e burgosjet, gjyqet kolektive, përçudnimi moral, tallja me dinjitetin dhe lirinë e mohuar të individit dhe familjes së naftëtarëve, janë kronika e zezë që digjet me flakën e amëshimit në ballin e kombit shqiptar. Flakët e saj të pashuara, janë përjetësia e një sakrifice të mohuar të atyre burrave dhe grave që i vunë shpatullat ekonomisë sonë popullore, me një shpresë të madhe për zhvillim, mirëqënie dhe progres. Në këtë klimë sa të rëndë fizike, aq edhe të trishtë nga ana psikologjike, naftëtarët gjenin kohë dhe bënin humor. Ky është elementi më esencial i kësaj “specie” njerëzore të kultivuar në socializëm, të cilin, Prof. dr. Dhimitër Gjini, e sjell në këtë botim, me një kënd të veçantë, në mënyrë të plotë dhe mjaft interesante.  Ndaj dhe ky libër të bënë për vete, të josh e të godet me nëntekstin e tij të shumëfishtë.

Kënga e “hidhur’që këndonte në heshtje, Llambrua, një nga naftëtarët e ndërmarrjes së prodhimit të Patosit, është një klithmë revolte për sistemin diktatorial dhe udhëheqësin e tij.

                               

                                 “Është një, more është një

                                   Është një nga Gjirokastra

                                   Na bëri, more na bëri

                                   Na bëri të gjithë me trasta.”

 

 Këto vargje janë diagrama e perceptimit popullor të sistemit komunist, të cilat e zbërthejnë atë më shumë se sa një leksion akademiku. Kjo është e vërteta historike e asaj shoqërie që gjallonte e mekur në diktaturë, por që kishte shpërthime të tilla shpirtërore, si krijimi i këtyre vargjeve që të trondisin me mesazhin e mbartur. Jo më kot autori e ka zgjeruar gamën e përfshirjes së humorit edhe në zboret ushtarake, ku del më qartë se kudo, boshi i heroizmit social me armiqtë e supozuar. Disa nga batutat e këtij libri, transmetojnë tek lexuesi të qeshurën e zezë. E tillë është perspektiva e ish studentëve të Moskës, ku Safa Kumbaro që mbaroi me medalje ari dhe u bë profesor privat i Meleqit dhe Bedriut, kur u kthyen në Shqipëri pikërisht ata që i kishte shtyrë “me shqelma” u bënë drejtora e ministra. Kjo klimë intelektuale shfaqet me një humor të thellë dhe mjaft ironik edhe në inagurimin e filiait të Fierit, ku rektori i tij, në fjalën e hapjes, ju tha studentëve në mënyrë përgjithësuese se: “Ju jeni të gjithë Muço!”

 Është interesante të vësh re, se në disa prej këtyre batutave, shfaqen sinjalet e para të shëmbjes së sistemit monist. Nëse slogani i njohur i diktaturës, “të punojmë me vrull revolucionar” ka bërë jetën e vetë të qetë në mbarë klasën e dikurshme të puntorëve që përfaqësonin “diktaturën e proletariatit” dhe fshatarësisë punonjëse, midis naftëtarëve, ky slogan u godit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pikërisht në një mbledhje të kolektivit të Gorishtit ku nipi i patriotit të njohur të Pavarësisë, Sali Vranishtit, bëri pyetjen tronditëse: “Ky hovi revolucionar shoku Petraq, do vazhdoj gjithë jetën?”

 E tillë është edhe ironia e përdorur nga një nënë me mjekun i cili e këshillon që djalin e sëmurë ta ushqente me lëng mishi. “Ku ta gjej këtë “ilaç?”, e pyet ajo dhe një moment më pas e mbyll aludimin duke mohuar recetën;“Jo doktor, unë e kam djalë socialist, nuk i jap nga këto ilaçe.” Këto janë shënjat e dhëna nga naftëtarët, janë reflekset që lindin nga një ndjeshmëri e hollë, atributin e së cilës e kanë vetëm njerëzit e heshtur të punës. Në këtë kontekst, naftëtarët shqiptar, duhen konsideruar lajmëtarët e parë të ndryshimeve sociale, dhe përmbysjen e sistemit diktatorial.

 Humori i naftëtarëve në këtë libër rrjedh në mënyrë të qetë e herë herë me vrull të beftë që të bën për vete e të josh faqe pas faqeje, duke të dhënë kënaqësinë e një leximi të këndshëm e mjaft emocional. Dhe ajo që mbetet pas këtij leximi është padyshim, dimensioni i ri i njohjes së naftëtarëve, vlerësimi për ta, përshtypja e mirë dhe..., rikujtesa për thënien e njohur se; “humori është cilësi e njerëzve të mençur!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat