Artiste, aktiviste feminist, eksperte të shëndetit mendor dhe figura kulturore nga Kosova dhe rajoni u bashkuan në konferencën ndërkombëtare “Arti+ Mendja: Shërimi, shëndeti mendor dhe Burnout në rezistencën kreative”.
Secila me përvojën e vet, madje edhe në rrëfime personale diskutuan mbi tri kriza të ndërlidhura: Roli shërues i artit në shoqëritë e lënduara, Epidemia e heshtur e sfidave të shëndetit mendor në sektorin krijues dhe Burnout që kërcënon zërat më të përkushtuar.
Në panelin për artin si mjet për shërim u fol për mënyrat se si arti mund të shërbejë si mjet reflektimi, dialogu dhe transformimi.
Aktorja Ilire Vinca foli për rëndësinë e roleve të rënda apo të ngarkuara, në jetën e saj personale.
Vinca: Për t’i njohur personazhet, duhet ‘hyrë’ në këpucët e tyre
“Krejt procesi i të qenit aktore për mua është një lloj kureshtje për të zbuluar dimensione të ndryshme përmes personazheve të cilat mua më duhet me i luajt, një thënie në shqip është shumë e bukur: duhet të jesh në këpucët e mia. Kështu që unë gradualisht filloj me u fut në këpucët e atij personazhi, por edhe duke e njoftuar vetveten përmes një personazhi tjetër”, tha Vinca.
Ndërsa Janet Reineck nga SHBA-ja, një antropologe që në Kosovë ka punuar gjatë shpjegon se artin, antropologjinë dhe ndihmën humanitare i ka bërë një në Kosovë. Ajo thotë se ka vuajtur bashkë me kosovarët në kohë lufte.
Reineck: Kam punuar në ndihma humanitare në Komunën e Vitisë
“Kam ardhur këtu në vitin 1981, si antropologe, kam studiuar, kam vuajtur me shqiptarët qysh keni vuajtur në ato vite. Pastaj kam ardhur bashkë me djalin tim në vitin 1990, kam punuar në ndihma humanitare në Komunën e Vitisë”, thotë ajo, duke shpjeguar se tashmë po punon për të ndihmuar ukrainasit.
Ndërsa, drejtoresha e Artpolis dhe FemArt, Zana Hoxha foli për rolin e teatrit feminist në transformimin e dhimbjes kolektive, në qëndrueshmëri dhe transformim.
Hoxha: Teatri me rol transformues
“Ajo që mësova unë gjatë këtyre viteve të punës, është që teatri ka rol transformues edhe për vetë personat që janë brenda shfaqjes, e edhe për publikun. E ky rol transformues ndonjëherë mund të jetë pozitiv e ndonjëherë negativ. Varet shumë me kënd punojmë, si punojmë dhe procesi i cili ndonjëherë mund të jetë i vështirë, por kur bëhet me njerëz të duhur mund të jetë shumë pozitiv, e kur bëhet me njerëz jo të duhur mund të jetë shumë i dhimbshëm”, thotë Hoxha.
Në panelet e tjera u diskutua mbi shëndetin mendor në industrinë krijuese, ku panelistët sollën perspektiva ndërdisiplinore dhe praktika gjithëpërfshirëse që adresojnë mirëqenien mendore në sektorin kreativ.
Ndërsa paneli: Burnout tek artistët dhe aktivistët ofroi një hapësirë të rëndësishme për reflektim dhe mbështetje në këto profesione sfiduese.
Kjo konferencë u mbajt në kuadër të edicionit të trembëdhjetë të Festivalit FemArt - “Çliroje Mendjen”, i cili mbahet deri më 21 qershor, me shumë aktivitete të tjera.