Kçiqasit me moton “Bashkim për gjelbërim” protestuan kundër gurthyesit në kodrën mbi fshat

Mitrovica

Kçiqasit me moton “Bashkim për gjelbërim” protestuan kundër gurthyesit në kodrën mbi fshat

Nga: F. B. Më: 13 mars 2021 Në ora: 11:55
Pamje nga protesta në Kçiq

Qindra banorë të Kçiqit fshatit më të madh jo vetëm në Mitrovicë por edhe në gjithë vendin, kanë zhvilluar protestën e dytë me radhë kundër gurthyesit që gjendet në kodër mbi këtë fshat, për shkak të dëmeve që pësojnë çdo ditë duke nisur nga infrastruktura rrugore, objektet e banimit për shkak të detonimeve, burimeve të ujit por edhe pluhurit dhe dëmtimit të mjedisit edhe natyrës.

Ata njëzëri janë shprehur të vendosur në kërkesat e tyre që të ndalohet degradimi i natyrës edhe mjedisit që po bëhet nga gurthyesi , që vazhdon të dëmtoj kodrën, natyrën, mjedisin edhe gjelbërimin, ndërkohë që dëmet në objektet familjare janë të konsiderueshme sikurse edhe në burimet e ujit, ku shumë banorë kanë burime nga kodra.

Me mjete motorike, traktor edhe automjete ata kanë bllokuar rrugën që shpi drejt vend-punishtes së gurthyesit “Lirgzoni” që sipas krerëve të këshillit të fshatit është duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në objektet e banimit.

Banorët e këtij lokalitet ende kanë lëndë gjyqësore për padi ndaj një kompani të mëhershme me kapital vendor e ndërkombëtar, që kishte shkaktuar dëme disa prej banorëve të fshatit dhe lëndët presin zgjidhjen .

Banorët e Kçiqit mbanin në duar pankarta të shkruara me porosi “ Bashkim për gjelbërim”, “Gurthyes – jo faleminderit”, “Për natyrën për shëndetin” “Ambienti është gjysma e shëndetit” dhe porosi tjera për ruajtjen e mjedisit edhe ambientit .

Këshilli i fshatit pret dhe shpreson që në këtë iniciativë për ruajtjen e mjedisit edhe ambientit do të i bashkohen edhe  organizata edhe shoqëria civile që në fokus ka ambientin dhe mjedisin, por edhe të gjitha organizatat që punojnë për të mirën e qytetarëve edhe vendit tonë.

Protesta të këtilla sipas krerëve të këshillit do të organizohen në vazhdimësi, pa marr parasysh se Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka krijuar një komision që do merret me analizën e situatës edhe dëmeve që ka shkaktuar edhe po shkakton puna e këtij gurthyesi.

Fatmir Salihu si kryetar i këshillit të fshatit në pajtim me këshillin ka ftuar edhe Komisionin për Miniera edhe Minerale që të shqyrtojë vendimin që i ka dhënë kësaj kompanie , duka pasur parasysh dëmin që po shkakton banorëve të Kçiqit.   

Protesta ka kaluar e qetë, ndërsa banorët janë të vendosur që të vazhdojnë përpjekjen në iniciativën për mbrojtjen e mjedisit dhe fshatit nga dëmet, si në objektet e banimit, furnizimin me ujë por edhe infrastrukturën e dëmtuar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat