Bordi i KRU “Mitrovica” zgjodhi kundërligjshëm kryeshefin e Ujësjellësit

Mitrovica

Bordi i KRU “Mitrovica” zgjodhi kundërligjshëm kryeshefin e Ujësjellësit

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Bordi i KRU “Mitrovica” i emëruar në korrik 2021 nga Qeveria Kurti ka zgjedhur kundërligjshëm kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje.

Inspektorati i Punës ka konstatuar se ka pasur shkelje të shumta në përzgjedhjen e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të Ujësjellësit të Mitrovicës.

Fillimisht përmes procedurave dhe më pas për faktin që Kurti nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit që të hyjë as në listën e ngushtë të kandidatëve.

Në dokumentin e siguruar burimet brenda kompanisë konstatohet në detaje shkeljet që janë bërë në këtë proces si dhe vendimi i Inspektoratit për anulim të zgjedhjes së kryeshefit.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” kishte shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv më 12 gusht të vitit 2021, ku Bordi i Përkohshëm kishte përzgjedhur në këtë pozitë kandidatin Bashkim Kurti.

Ndaj këtij vendimi është bërë ankesë në Inpektoratin e Punës nga kandidatët tjerë, Alajdin Avdullahi, Naim Hajdini dhe Demir Shala.

Inspktorati i Punës pas shqyrtimit të ankesave ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit Alajdin Avdullahi për mos përzgjedhjen e tij në pozitën e kryeshefit.

Avdullahi ankesën e tij e ka dorëzuar në Inspektorat më 25 tetor 2021, pas vendimit të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të datës 12 tetor 2021 për përzgjedhjen e kandidatit Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit të KRU “Mitrovica”.

Media ka siguruar vendimin e Inspektoratit të Punës përmes të cilit konstatohet se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve ka bërë shkelje në procedurat e përzgjedhjes së kandidatit Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit.

Sipas këtij raporti zyrtar të Inspektoratit të Punës Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve së pari është dashur të mbajë test me shkrim për kandidatët që i kanë plotësuar kriteret e konkursit dhe më pastaj të vazhdohet me intervistën me gojë, andaj Bordi ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 10 të Udhëzimit Administrativ Nr. 07/2017.

Pas procedurave me shkrim dhe intervistës me gojë Bordi ka qenë i obliguar që të gjithë kandidatëve t’ua dërgojë vendimin përfundimtar të përzgjedhjes së kandidatit që ka më së shumti pikë nga test me shkrim dhe intervista më gojë.

Po ashtu Inspketorati i Punës ka konstatuar se Bordi i Përkohshëm ka bërë shkelje duke përzgjedhur kandidatin Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit pasi ky i fundit nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, ku kriter ka qenë që të ketë diplomë universitare në lëmin e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë, apo nga fushëveprimtaria e ndërmarrjes, andaj kandidati i përzgjedhur Bashkim Kurti ka diplomuar në kolegjin AAB Drejtimi Kriminalistikë dhe Master i Arteve në Menaxhment dhe Informatikë.

Bazuar në këto Inspektorati i Punës më datë 26.11.2021 i ka bërë vërejtje Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të KRU “Mitrovica” që në afat prej 3 ditësh të shfuqizojë vendimin për zgjedhjen e kryeshefit Bashkim Kurti dhe të rishqyrtohen edhe njëherë të gjitha procedurat që nga momenti i mbylljes së konkursit.

Kësisoj të mbahet testi me shkrim dhe intervista me gojë vetëm me kandidatët që i kanë plotësuar kushtet e konkursit.

Një vendim i tilë ende nuk është zbatuar dhe Bashkim Kurti vazhdon ta ushtrojë funksionin e kryeshefit ekzekutiv të KRU “Mitrovica”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat