​Protestë kundër taksive ilegalë në Mitrovicë, kompanitë marrin garanci për zbatim të ligjit

Mitrovica

​Protestë kundër taksive ilegalë në Mitrovicë, kompanitë marrin garanci për zbatim të ligjit

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Pronarët dhe punëtorët e kompanive të autobusëve të linjës Mitrovicë-Prishtinë dhe anasjelltas, kanë protestuar sot para objektit të Komunës së Mitrovicës në shenjë të pakënaqësisë ndaj problemit që kanë tash e 22 vite me kombi-busët ilegalë.

Ata parkuan dhjetëra autobusë para oborrit të Komunës, ndërsa akuzuan këtë institucion se nuk po ndërhyjnë përmes inspektorëve për të ruajtur konkurrencën e pandershme. Protestuesit adresuan akuza të rënda ndaj inspektorëve të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri, dhe paralajmëruan bllokadë të rrugëve dhe veprime të ngjashme.

Ata u pritën nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërsa pas takimit mbetën me shpresë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, duke folur për KosovaPress, ka hedhur akuza të rënda ndaj inspektoratit të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Sipas tij, këta inspektorë janë duke keqpërdorur detyrën, dhe në kushte normale do të duhej të arrestoheshin nga policia.

Azemi: Dikush po merr para

Këtu në këtë rreth dikush po keqpërdorë, dikush po merr para. Sipas dyshimit tim, inspektorati i komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri janë duke keqpërdorur detyrën dhe në kushte normale këta duhet të shkojnë lidhur (prangosur)... Po e përsëris, dikush këtu po merr para sepse në vija të rregullta të operojnë njerëz ilegalë, tregon se shteti nuk po funksionon… Në protestat e ardhme ne do të bllokojmë rrugët sepse nuk po mund të mbijetojmë”, ka thënë Azemi.

Avni Boletini, kryetar i Shoqatës së Kompanive të Autobusëve në regjionin e Mitrovicës, u shpreh i zhgënjyer me të gjitha takimet që kanë pasur me institucionet e vendit.

Boletini: Jemi ankuar tëk te gjithë

Kemi dalë këtu sepse është momenti i fundit. Nuk na ka mbetur vend pa shkuar, te kryeministri, ministri i Infrastrukturës, dhe kemi marrë vetëm fjalë”, tha Boletini.

Ndërkaq, Hashim Miftari, nënkryetar i kësaj shoqate, potencoi se i gjithë problemi qëndron tek inspektorati i komunikacionit dhe neglizhenca për punë nga ana e tij.

Miftari: Komuna e Mitrovicës i mban kot inspektorët

Pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Mitrovicës dhe institucionet e tjera, çdoherë problemi ka qenë tek inspektori i komunikacionit të Komunës së Mitrovicës. Nuk do të punojë. Shko te tregu tash, i ke 50 taksistë ilegalë dhe as që merret dikush me ta. Inspektorati duhet ta dijë se prej orës 8:00 deri në 12:00 dhe prej 13:00 deri në 16:00 inspektori duhet të jetë në terren. Nuk e di pse komuna në Mitrovicë mban inspektorë të komunikacionit, nuk di pse e paguan… Kurrë asnjëherë nuk e ke në terren”, theksoi Miftari.

Gjatë kohës derisa po protestohej, disa prej përfaqësuesve të kësaj proteste u ftuan në takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, për të arritur një zgjidhje rreth këtij problemi.

Pas rreth gjysmë ore sa ka zgjatur takimi, Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen me kryetarin Hamza dhe premtimet që kanë marrë.

Azemi: Kryetari premtoi zbatimin e ligjit

Kryetari i komunës ka marrë një obligim të fuqishëm, se që nga nesër do të fillojë së zbatuari ligjin me të gjitha kompetencat që i ka, ka ofruar një bashkëpunim, por megjithatë ne do të shohim si do të vazhdojë situata. Ne pamë se ai nuk ka qenë i njoftuar me të gjitha problemet që i kanë në thellësi këta autobusë… Ka qenë një takim i mirë të shohim sa po respektohet. Nëse e respekton ai, do t’i respektojmë edhe ne rregullat tona, nëse jo ne normalisht që do të vazhdojmë me protesta dhe procese të tjera”, ka thënë për KosovaPress Azemi.

Për të gjitha kauzat e kompanive por edhe të problemin e tyre në përgjithësi, KosovaPress ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e kryetarit të Mitrovicës, por i njëjti nuk ka dëshiruar të prononcohet. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat