Plakolli: Mitrovica e Jugut do të bëhet qytet për t’u pasur lakmi brenda katër vjetësh

Mitrovicë

Plakolli: Mitrovica e Jugut do të bëhet qytet për t’u pasur lakmi brenda katër vjetësh

Më: 26 shtator 2025 Në ora: 00:31
Gëzim Plakolli

Gëzim Plakolli, kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, ka thënë se planprogrami i tij është i bazuar në nevojat dhe kërkesat e mitrovicasve.

Në emisionin “Edicioni Special”, ai ka pohuar se Mitrovicën e Jugut do ta bëjnë për katër vjet, nëse fiton në zgjedhjet e 12 tetorit, një qytet që do ta kenë lakmi të gjithë.

I njëjti theksoi se ka plane edhe për buxhetin që është miratuar nga Kuvendi Komunal për Mitrovicën e Jugut.

“Në këtë garë jemi me program të bazuar në tri shtylla, i cili ndërlidhet me bashkim, me barazi dhe me zhvillim. Këto do t’i arrijmë përmes planifikimit strategjik, zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mobilitetit dhe infrastrukturës, përmes shërbimeve komunale dhe shëndetësisë, përmes familjes si themel i shoqërisë, përmes arsimit kualitativ e aktiviteteve për rini, përmes kulturës dhe sportit, përmes ekonomisë dhe punësimit, si dhe përmes energjisë së ripërtëritshme.”

“Tash së fundi Kuvendi Komunal e ka miratuar buxhetin për Mitrovicën, një buxhet që është përafërsisht 30 milionë euro, ku nga ato 30 milionë euro janë 7 milionë euro për investime kapitale dhe, nëse në total për katër vite i kalkulojmë, i kemi 28 milionë euro mundësi të investimeve kapitale të Mitrovicës. Nëse ia shtojmë këtu edhe disa miliona euro me partnerët ndërkombëtarë, ne mund të themi se Mitrovica mund t’i shpenzojë maksimalisht 40 deri në 50 milionë euro. Nëse paratë kanalizohen në drejtime të cilat kanë nevojë qytetarët, besoj se me këtë buxhet mund të bëjmë punë për qytetarët,” tha Plakolli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat