Banori i lagjes “2 Korriku”, Ferid Zahiti, i cili është strehuar në një hotel në Mitrovicë, si pasojë e vërshimeve, ka rrëfyer për KosovaPress momentet e evakuimit nga shtëpia e tij si dhe kushtet në të cilat po qëndron bashkë me familjen.
Zahiti thotë se evakuimi është bërë rreth orës 07:30 të mëngjesit, kur ekipet kanë ardhur me barka për t’i nxjerrë banorët nga zonat e përmbytura. Sipas tij, herën e parë nuk kishte pranuar të largohej nga shtëpia, por këtë herë situata ishte përkeqësuar dhe nuk kishte më mundësi qëndrimi.
Thekson se pas evakuimit janë dërguar në hotel, por pa marrë ndonjë informacion apo ndihmë konkrete nga institucionet. Sipas tij, përveç dhomës së fjetjes, nuk u është ofruar asgjë tjetër.
Banori i “2 Korrikut” tregon se si u evakuuan nga shtëpia
“Jemi larguar në ora 07:30 të mëngjesit, kanë ardhur me ato barka na kanë nxjerr. Na ka marrë edhe njëherë por unë nuk kam dal, por këtë herë nuk patëm qare hyni brenda krejt se kur nuk pat hy, ka qenë lart këtë herë, krejt sen nuk ka mbet aty. E vallahin nuk e di, veç teknika e bardhë krejt të reja i kam pas. Kushtetet me pension. Kurrgjë nuk na kanë thanë hiç, veç na sollën, na futën këtu e shkuan, asnjë kurrfarë ndihme as hiç, veç hyni këtu, as komuna, hiç hiç kurrgjë, sikur me qenë të huaj. More hyni brenda se nuk isha dal qashtu, kisha qëndru po nuk pate ku”, thotë Ferid Zahiti.
Zahiti kujton se edhe para pesë vjetësh familja e tij ishte përballur me vërshime të ngjashme, por sipas tij, ndihma nga komuna kishte munguar edhe atëherë, pavarësisht premtimeve.
“Dhashtë Zoti rehatohemi disi...”
“Dhashtë Zoti hajër, rahatohemi disi, se edhe para pesë vjetëve na ka hi, prej komunës nuk kemi marrë vetëm na premtuan. Policia na sollën thanë qitu me ju vendos tani dikush interesohet. Jo as nuk u ardh kush as nuk na ka vetë dikush. Veç jena hi qitu. Jo s’kem kurgjo, kurrgjë s’kemi, askush nuk na ka pyet, jo veç atë dhomë të fjetjes, kurrgjë tjetër, tre anëtarë, shoqen e kam edhe 1 çikë, kush njeri i gjallë s’ka ardhë. Tash e qita një çikë shko merrna diçka se nuk po qëndrohet pa hëngër se jo kurrkush as nuk të vet as hiç. Çka me bo”, thotë ai.
Aspak lehtë duket të mos e ketë edhe Azem Halili, banor i po kësaj lagje.
Halili thotë për KosovaPress se situata është bërë e padurueshme.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që banorët përballen me vërshime, pasi ato përsëriten thuajse çdo vit dhe prekin mbi 20 familje, të cilat detyrohen të strehohen në hotele ose tek familjarët.
Halili: Rreth 20 familje jemi strehuar
“Jemi përfshirë si krejt këta banorë që janë përfshirë në këto vërshime, nuk është hera e parë dmth çdo vit thuajse që çdo vit. Janë pothuajse mbi 20 familje që janë përfshirë në këtë vërshime janë strehuar nëpër hotele, familjarë dmth komuna që i ka çu por kjo s’ia vlen hiq, s’ia vlen dmth për mendimin tim sa ma merr mendja mua, jo por tjetër sa herë që ka pasur vërshime kemi aplikuar, ka qenë edhe bashkimi që ka treguar se kanë qenë dëmet nëpër shtëpi e krejt por askush nuk na e ka mundësuar kurrë hiç, as komuna bile para nja 3-4 vite kur u kanë vërshimet edhe këtu edhe tek lagjja Fidanishte atje ata i kanë marrë paret krejt dmth çka kanë pasur dëme i kanë marrë ata. i kanë paguar neve asnjë cent kurrë hië, edhe tash dmth kur kanë ndodhur vërshimet veç nuk mundemi me hy se me bo me hi është katastrofë jo vetëm tek unë por tek krejt shtëpitë katastrofë është”, thotë ai.
Thotë se aktualisht nuk kanë as ku të kthehen.
Halili: Shtëpia tash është në gjendje të keqe, s’kemi si të kthehemi
“Krejt në shtëpi janë mbet, krejt të lagëta, çka kemi pasur vesh qashtu, kështu siç po më sheh. Jo, jo qato qka i kena pas vesh qato çka i kemi pas vesh, thash edhe me shku te shtëpia me hy brenda janë krejt llom, me friza, me tesha krejt llom janë, s’jam veç unë po janë edhe 20 familje të tjera”, shton ai.
Si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut, në Mitrovicë janë evakuuar disa familje. Aktualisht gjendja është e rëndë dhe ekipet emergjente janë në terren.