Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Enis Osmani ka reaguar pasi në qytetin e Mitrovicës janë vjedhur lulet e vendosura në hapësira publike për zbukurimin e qytetit.
Përmes një reagimi publik, Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë apo përvetësojnë lulet, duke theksuar se ato janë vendosur për t’i dhënë qytetit një pamje më të bukur dhe më të këndshme.
Ai ka apeluar për më shumë kujdes ndaj hapësirave publike, duke shtuar se ruajtja dhe mirëmbajtja e qytetit është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.
Reagimi i tij:
Të nderuar qytetarë,
Ju lutemi që, në funksion të kujdesit për hapësirat publike, të mos i dëmtoni apo përvetësoni lulet e vendosura në qytet.
Këto lule janë vendosur për ta zbukuruar ambientin tonë të përbashkët dhe për t’i dhënë qytetit një pamje më të bukur e më të këndshme.
Kujdesi për hapësirat publike është përgjegjësi e përbashkët, prandaj ju ftoj që së bashku ta ruajmë dhe ta mirëmbajmë qytetin tonë të dashur.