Një peshkatar nga Zelanda e Re i shpëtoi jetën e një foshnjës vetëm 18-muajsh në oqean. Historia ka pushtuar faqet e para të mediave dhe është cilësuar si një mrekulli e çuditshme, shkruan BBC.
Gus Hutt po peshkonte kur vuri re diçka që po pluskonte mbi ujë. Ai fillimisht mendoi se ishte një kukull.
“Mendova se ishte një kukull. Edhe kur e kapa për krahu, sërish mendoja se ishte kukull. Fytyra dukej si porcelan. Por më pas lëshoi zë dhe mendova: Oh Zot, qenka foshnje dhe qenka gjallë”, tregoi Hutt.
“Mendoj se kishte shumë fat ai fëmijë. Një minutë më vonë dhe nuk do e shihja më”, shtoi ai.
Por si përfundoi foshnja në ujë? Familja e tij kishte shkuar për kamping në plazh dhe kishte ngritur çadrën. Por foshnja ishte arratisur nga çadra duke hapur zinxhirin. Më pas ishte nisur drejt oqeanit, i entuziazmuar pasi po shihte ujin.
Mamaja e fëmijës thotë se u shokua, por më pas u lumturua.