Padia ndaj ministrit të Mbrojtjes – Komuna e Pejës nuk e sjellë dosjen - Bota Sot
Padia ndaj ministrit të Mbrojtjes – Komuna e Pejës nuk e sjellë dosjen

Peja

Padia ndaj ministrit të Mbrojtjes – Komuna e Pejës nuk e sjellë dosjen

Më: 24 janar 2019 Në ora: 15:13
Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, për të dytën herë, ka marrë vendim që ta detyrojë Komunën e Pejës, të sjellë tërë dokumentacionin për të konstatuar nëse janë përfillur procedurat kur kjo komunë, ia ka dhënë në shfrytëzim një pronë, tani të paditurit Rrustem Berisha, i cili njëherësh është ministër i Mbrojtjes.

Të enjten ka vazhduar gjykimi, në rastin ku Ibrahim Fazliu, po pretendon se më 12 nëntor të vitit 1999, Komuna e Pejës, kundërligjshëm i është marrë e drejta e shfrytëzimit të pronës në Pejë, me sipërfaqe prej mbi katër ari dhe i është bartur Rrustem Berishës.

Për këtë ai ka ushtruar padi ndaj Rrustem Berishës dhe Komunës së Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Afërdita Mulhaxha, në seancën e 6 shtatorit të vitit të kaluar, kishte detyruar Komunën e Pejës të dorëzojë dokumentet se në çfarë procedurë i ishte dhënë në shfrytëzim toka kontestuese të paditurit të parë Rrustem Berisha, mirëpo ky detyrim, sipas saj, nuk është plotësuar nga Komuna.

Përfaqësuesja e Komunës së Pejës, avokatja Drita Sopi-Gashi, lidhur me këtë, në seancën e së enjtes, deklaroi se ishin siguruar vetëm disa dokumente, por jo dosja në tërësi.

Sipas avokates, ishin dorëzuar vetëm disa prova të cilat Komuna ka konsideruar se janë të nevojshme, duke përfshirë kopjen e planit dhe aktvendimin e Komunës për dhënien në shfrytëzim.

Kurse, në anën tjetër përfaqësuesi i paditësit Ibrahim Fazliu, avokat Lulzim Balaj mbeti pranë propozimit që të detyrohet Komuna ta sjellë dosjen në gjykatë.

Si rrjedhojë e kësaj, gjykatësja e çështjes mori vendim duke e detyruar të paditurën e dytë, Komunën e Pejës, që në seancën e radhës të sjellë dokumentacionin e kërkuar.

Seanca e radhës është shtyrë më 14 mars 2019, duke filluar prej orës 11:00.

Lidhur me këtë padi dhe seancat në këtë rast, edhe më parë ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Ibrahim Fazliu, po pretendon se kundërligjshëm i është marrë e drejta e shfrytëzimit të pronës në Pejë, me sipërfaqe prej mbi katër ari dhe i është bartur ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Berisha, njëherësh ministër aktual i Mbrojtjes.

Sipas tij, Kuvendi Komunal i Pejës, më 12 nëntor të vitit 1999, kishte marr vendim që këtë pronë t’ia jep në shfrytëzim të përhershëm Berishës.

Në atë kohë, kryetar i Kuvendit Komunal në Pejë, ka qenë dikur bashkëpartiaku i Rrustem Berishës, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku.

Me pretendimet se padrejtësisht dhe në mënyrë të kundërligjshme i është mohuar e drejta e shfrytëzimit të pronës, fillimisht Hysen Fazliu e pastaj vëllai i tij, Ibrahim Fazliu, kishin ushtruar padi në Gjykatën e Pejës.

Pasi Hysen Fazliu, që nga komuna ishte regjistruar si pronar i pronës me vendim mbi trashëgiminë, këtë pronë ia kishte falur vëllait të tij, Ibrahim Fazliu, i cili gjithashtu e kishte vazhduar “betejën” në gjykatë, me pretendimet se prona është e tij.

Që nga atëherë, ky rast është kthyer dy herë në rishqyrtim, pasi që Gjykata e Pejës e kishte refuzuar si të pabazuar padinë, por që më pas gjykata e shkallës së dytë, e kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ibarhim Fazliu, më 11 nëntor të vitit 2011, ka ushtruar padi ndaj Rrustem Berishës, si i paditur i parë, si dhe Komunës së Pejës, si e paditur e dytë.

Gjithashtu, në këtë rast, Rrustem Berisha ka ushtruar edhe kundërpadi ndaj paditësit Fazliu dhe lidhur me pretendimet e të dy palëve po vazhdon gjykimi.

Ndryshe, në seancën e 6 shtator të vitit 2018, në Gjykatën Themelore në Pejë, ishte mbajtur seanca gjyqësore, ku paditësi Fazliu po kërkon vërtetim e pronësisë, për tokën që i padituri Berisha e ka të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm, derisa kundërpaditësi pretendon se prona ligjërisht i është bartur atij dhe që ka çdo të drejtë për shfrytëzimin e saj.

Paditësi Fazliu, pretendon se është pronar i ngastrës kadastrale nr.5390/23, në Pejë.

Sipas tij, deri te fitimi i pronësisë në këtë pronë kontestuese ka ardhur në bazë të kontratës për faljen e paluajtshmërisë të lidhur mes tij dhe vëllait, Hysen Fazliu.

Kurse, sipas padisë, vëllai i tij, këtë paluajtshmëri e kishte fituar sipas aktvendimit të trashëgimisë të së ndjerës, Radosllava Obradoviq.

Edhe pse paditësi në bazë të fletës poseduese figuron pronar juridik, ai sipas padisë, nuk është në posedim të pronës kontestuese.

Ai pretendon se Komuna e Pejës, pa bazë juridike ka lëshuar vendimin me të cilin ia ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm të paditurit Rrustem Berisha.

Më 12 nëntor të vitit 1999, dhënësi i tokës, Këshilli Komunal i Pejës, i cili ka qenë i përfaqësuar nga kryetari Et’hem Çeku kishte lidhur kontratë me tani të paditurin Rrustem Berisha, për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore.

Sipas padisë, në rastin konkret kemi të bëjmë me pasuri private, e cila si e tillë në asnjë mënyrë, nuk ka mundur të jepet në shfrytëzim nga Komuna e Pejës për të paditurin e parë, Rrustem Berisha.

Në tërësi këto pretendime të paditësit, i ka kundërshtuar si të pabazuara, i padituri i parë, Rrustem Berisha, përmes përfaqësuesit të autorizuar, Bekë Lajqi.

Pretendimet e tilla, përmes përgjigjes në padi, avokati Lajqi ka theksuar se patundëshmëria kontestuese “defacto”, është pronë shoqërore dhe qeverisja e përkohshme komunale në Pejë, me vendimin e saj, ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm të paditurit të parë Rrustem Berisha dhe pastaj nga organet përgjegjëse i është lëshuar edhe leja për ndërtim.

Avokati Lajqi, gjithashtu e ka kontestuar ndërrimin e pronarit të tokës, prej Hysen Fazliu, tek paditësi Ibrahim Falizu.

Lajqi më 20 shkurt 2018, ka ushtruar kundërpadi ndaj paditësit Ibrahim Fazliu, Komunës së Pejës dhe vëllait të paditësit, Hysen Fazliu.

Përmes kësaj kundërpadie theksohet se vëllai i paditësit, Hysen Fazliu më herët kinse e kishte të drejtën e pronësisë mbi këtë pronë në bazë të aktvendimit mbi trashëgimi, i cili sipas Lajqit ishte i kundërligjshëm.

I autorizuari i të paditurit të parë, tani në cilësinë e kundërpaditësit ka kërkuar të anulohet aktvendimi mbi trashëgiminë, i marrë nga ish-Gjykata Komunale e Pejës, në bazë të cilës Hysen Falizu, vëllai i paditësit, është evidentuar si njëri nga trashëgimtarët, e tani të ndjerës Rodosllava Obradoviq.

Sipas tij, Hysen Fazliu, vëllai i paditësit, nuk kishte kurrfarë lidhje familjare me të ndjerën Obradoviq dhe ishte regjistruar si pronar i kësaj ngastre duke u bazuar në një vendim fiktiv dhe të kundërligjshëm.

Këto pretendime të paraqitura në kundërpadi, i autorizuari i paditësit, avokati Lulzim Balaj, ka deklaruar se i kundërshton në tërësi dhe njëherësh ka kontestuar momentin procedural  të paraqitjes se kundërpadisë, e cila sipas tij, në këtë fazë të gjykimit, nuk mund të paraqitet.

Balaj, tutje ka shtuar se kundërpadia nuk përmban asnjë provë të re duke kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta hedhë poshtë.

Po ashtu avokati Balaj, ka kërkuar nga Gjykata që të paditurën e dytë, Komunën e Pejës ta detyrojë të dorëzojë dokumentacionin përkatës dhe të jap shpjegim nëse është përfillur procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore kontestuese.

Lidhur me këto pretendime, avokati Bekë Lajqi, ka deklaruar se kundërpadia është ushtruar konform dispozitës së nenit 256 të LPK, duke e konsideruar si të ligjshme.

“Andaj kundërpadia është e drejtë e ligjshme dhe e bazuar dhe është çëshje e gjykatës për të gjykuar sipas çështjes në procedurë”, ka thënë ai.

Gjyqtarja e çështjes, Afërdita Mulhaxha, ka marr vendim, me të cilën e ka miratuar propozimin e të përfaqësuesit të paditësit, për ta detyruar Komunën e Pejës që të dorëzojë shkresat dhe rregulloren.

Historiku procedural i çështjes civile

Për këtë çështje juridiko-civile, padia e parë ndaj të paditurve të njëjtë, është ushtruar në vitin 2000, për të njëjtën bazë juridike, nga Hysen Fazliu, vëllai i tani paditësit, Ibrahim Fazliu.

Sa i përket kësaj kërkese, dy herë është vendosur nga gjykatat në nivel të shkallës së parë dhe të dytë.

Lidhur me padinë e parë, më 19 shtator 2001, ish-Gjykata Komunale në Pejë, nxori aktvendim me të cilin e kishte aprovuar propozimin e të paditurit Rrustem Berisha, për ndërprerjen e procedurës kontestimore.

Ndër të tjera, ish-Gjykata Komunale, ndërprerjen e procedurës e kishte arsyetuar për faktin se mes palëve ndërgjyqëse ishte paraqitur si kontestues, vlefshmëria e aktit të trashëgimisë dhe për këtë çështje vendoset në procedurë jokontestimore.

Kundër këtij aktvendimi, për ndërprerjen e procedurës kontestimore, ishte paraqitur ankesë nga paditësi, e cila ishte aprovuar nga ish-Gjykata e Qarkut.

Vendimi tjetër i radhës, në të cilën gjykata kishte vlerësuar themelësinë e kërkesëpadisë, ishte më 9 maj 2002, me të cilin aktgjykim ishte refuzuar kërkesëpadia e paditësit Hysen Fazliu, me të cilin kërkonte të vërtetohet se është pronar i patundshmërisë nr.5390/23.

Ish-Gjykata Komunale në Pejë, me vendimin e saj, paditësit nuk ia kishte njohur të drejtën e pronësisë në bazë të aktvendimit mbi trashëgimi, ngase, sipas gjykatës, ky vendim nuk i plotëson as për së afërmi formën e paraparë procedurale për shqyrtimin e trashëgimisë.

Sipas Gjykatës, vendimi mbi trashëgiminë në bazë të të cilit paditësi Hysen Fazliu, evidentohej si pronar, ishte në kundërshtim më Ligjin mbi Trashëgiminë.

Ky aktgjykim, ishte atakuar me ankesë nga paditësi, ku për shkak të vlerësimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të dispozitave procedurale, ka propozuar që shkalla e dytë aktgjykimin e atakuar ta ndryshojë apo anulojë  dhe ta kthej në rishqyrtim.

Ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, me aktvendimin e saj më 11 janar 2006, kishte gjetur se ankesa e paditësit ishte e bazuar, duke e prishur aktgjykimin e shkallës së parë, duke e kthyer rastin në rishqyrtim.

Gjykata Themelore në Pejë më 2 korrik 2017, kishte marr aktvendim, me të cilën kishte hedhur poshtë padinë e paditësit Ibrahim Fazliu si të parregullt.

Sipas gjykatës së shkallës së parë, paditësi Fazliu kishte dhënë adresë e të paditurit të parë, por sipas fletëkthesës së kthyer kishte rezultuar nga postierit se “pala jeton në Prishtinë”.

Në bazë të kësaj, Gjykata merr vendim, ku ia kthen padinë paditësit Fazliu për korrigjim, duke e detyruar që në afat prej tre ditësh, të potencojë adresën e saktë të paditurit Rrustem Berisha.

Kurse, paditësi, sipas Gjykatës, si adresë të vendbanimit, prapë kishte paraqitur adresën e parë, të cilën e kishte theksuar në padi.

Si pasojë e kësaj, Gjykata kishte hedhur padinë.

Kundër këtij aktvendimi, është ushtruar ankesë nga paditësi, ku Gjykata e Apelit, më 13 korrik 2017, kishte prishur vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer në rishqyrtim.

Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë, pas dorëzimit të parashtresës për plotësim të padisë, nuk ka provuar që të njëjtën t’ia dorëzojë të paditurit Rrustem Berisha, pavarësisht se është prezantuar adresa e njëjtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...