Banorët e trevës së Rugovës i dërguan sot vërejtje serioze pushtetit qendror në Prishtinë..!? - Bota Sot
Banorët e trevës së Rugovës i dërguan sot vërejtje serioze pushtetit qendror në Prishtinë..!?

Peja

Banorët e trevës së Rugovës i dërguan sot vërejtje serioze pushtetit qendror në Prishtinë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 5 prill 2019 Në ora: 22:35
Protesta dhe kundërshtimi i komunitetit nga treva e Rugovës ndaj vendosjes së rampës në hyrje të grykës së Rugovës

Kur qytetarët detyrohen të dalin në rrugë për ta shprehur mospajtimin dhe mllefin e tyre ndaj cilit do vendim të organeve shtetërore, flet katërçipërisht se faji qëndron tek vendimmarrësit e jo tek protestuesit, sikur që tregoi sot protesta dhe kundërshtimi i komunitetit nga treva e Rugovës ndaj vendosjes së rampës në hyrje të grykës së Rugovës, meqë rast të revoltuar tej mase nga një vendim i tillë absurd, në mënyrë simbolike prishën dhe e larguan materialin ndërtimor nga vendi ku ishte paraparë të ngritej laura (rampa)..!

Duke i marrë parasysh disa veprime dhe vendime të qeverisë qendrore në Prishtinë, konkretisht dhe posaçërisht ndaj trevës së Rugovës në 7 vitet e fundit, siç ishte shpallja e kësaj zone të territorit të Republikës së Kosovës “Park Kombëtar”, më pas marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe miratimi i saj në Kuvend me të cilën treva e Rugovës i humbi mbi 8300 hektarë tokë, projekt-menaxhimi i ambientit dhe i strukturës hapësinore nga ana e ministrisë së mjedisit, dhe së fundi ngritja e laurës (rampës) në hyrje të grykës së Rugovës, të gjitha këto vendime pa pëlqimin dhe pajtueshmërinë e banorëve autokton të kësaj treve, flet qartë se kësaj radhe ishte mbushur kupa e injorimit dhe anashkalimit që i është bërë (qëllimisht) popullit të kësaj ane nga ana e përgjegjësve shtetëror në nivel qendror dhe atë komunal..!?

Komunikata e organeve komunale të Pejës, se “laura (rampa) që po ndërtohet në grykën e Rugovës ka për qëllim ndalimin e prerjes ilegale të pyjeve...”, është krejtësisht e paqëndrueshme, sepse në hyrje të qytetit të Pejës në anën e spitalit, që nga pas lufta ekziston dhe ka funksionuar rampa për kontrollin dhe parandalimin e prerjes së pyjeve në Rugovë. Se, me vendosjen e rampës në grykë të Rugovës në një largësi gjeografike prej mbi 25-30 km nga vendndodhja e pyjeve “do të bëhej ndalimi faktik i prerjes ilegale të pyjeve”, është një konstatim sa qesharak, por aq  manipulues për opinionin e gjerë!

Image

Po ashtu, në këtë komunikatë, ndër të tjera thuhet; “Çdo vendim që prek interesat e banorëve dhe ambientin do të mirret në konsultim me qytetarët e komunës së Pejës e sidomos me banorët e trevës së Rugovës” (!?), është ky po ashtë një konstatim krejtësisht banal dhe larje duarsh si Polt Piloti, kur dihet mirëfilli se deri më sot asnjëherë dhe për asnjë vendim dhe për asgjë nuk është konsultuar dhe as nuk është marrë pëlqimi i banorëve të Rugovës. Të dilet tash me këtë komunikatë, përveç se është dyfytyrësi, kjo del si një hipokrizi e llojit më injorant, që “post-festum” të thuhet se do konsultohen qytetarët, “sidomos banorët e trevës së Rugovës”, kur të gjitha vendimet që janë marrë deri më tash lidhur me këtë trevë kanë qenë autokratike, në mos edhe diktatoriale..!?

Banorët e trevës së Rugovës, përveç se janë treguar gjatë këtyre viteve, kur në mënyrë të bizare janë cenuar rënd të drejtat e tyre qytetare të garantuar me kushtetutën e Kosovës “për të qenë subjekt vendim marrës në shtet ndërtim si dhe pjesëmarrës aktiv në vendime që kanë të bëjnë me interesat e tyre vitale jetësore”, ata kanë treguar një durim të jashtëzakonshëm ndaj këtyre padrejtësive, me qëllim të vetëm që si shtet i lirë dhe demokratik, Kosova të ecë sa më shpejt përpara drejt zhvillimit dhe përparimit ekonomik, si shtet i pavarur i fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve.

Image

Andaj, ngritja e rampës pa asnjë alibi dhe në dëm të interesave të banorëve të kësaj treve, solli domosdo tek revolti dhe mllefi i tyre individual dhe kolektiv, i cili nuk do pushon derisa të respektohet mendimi dhe zëri i tyre për çdo vendim që prek interesat e tyre jetësore..!?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...