Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që nga dita e sotme, do të udhëheq me Partinë Demokratike në Pejë.
Haliti, ka marrë shumicën e votave të delegatëve pejanë, për t’u zgjedhur kryetar i PDK-së në këtë degë.
Ani pse deri vonë u mendua që rivalë i ashpër i Halitit, do të ishte ish-shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, kështu nuk ndodhi.
Kjo për shkak, se në momentet e fundit, Grabovci, hoqi dorë nga kandidimi për të marrë timonin e degës së PDK-së në Pejë.
Kjo bëri që Haliti, me lehtësi të merrte këtë post.
Përveç zgjedhjes së kryetarit të degës, PDK-ja e Pejës, ka zgjedhur sot edhe Këshillin Drejtues.
Media ka siguruar emrat e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.
Njëri ndër më të votuarit del të jetë bashkëpunëtori i Halitit, Arton Muhaxheri, i cili mori 106 vota.
Por, në pozitën e nëntë për nga votat doli ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.
Ani pse ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së dhe TMK-së, e më vonë edhe shef i qeverisë, Agim Çeku, mori vetëm 98 vota të delegatëve, duke u zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues, nga nëndega e fshatit Qyshk. Më shumë vota se ai morën shumë anëtarë të PDK-së, që nuk kanë pasur ndonjë pozitë të lartë drejtuese.
Këshilli Drejtues i PDK-së në Pejë, do t’i ketë gjithsejt 71 anëtarë.