Pastruesit e rrugëve dhe mirëmbajtësit e gjelbërimit në Pejë kërkojnë paga më të larta - Bota Sot
Pastruesit e rrugëve dhe mirëmbajtësit e gjelbërimit në Pejë kërkojnë paga më të larta

Peja

Pastruesit e rrugëve dhe mirëmbajtësit e gjelbërimit në Pejë kërkojnë paga më të larta

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 10:12
Peja

Punëtorët për shërbimin e pastrimit dhe larjes së rrugëve, si dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në qytet, kanë mbetur nga fillimi i muajit shkurt pa punëdhënës.

Megjithëse kontratat e tyre kanë skaduar në fund të muajit janar, ata kanë vazhduar të kryejnë punët që i kanë bërë tri vitet e fundit, si punëtorë të operatorit privat, që ka qenë i kontraktuar nga komuna për këto shërbime.

Pas skadimit të kontratës të operatorit privat me komunën, Komuna e Pejës ka vendosur që këta 25 punëtorë, prej tyre 15 janë të mirëmbajtjes së gjelbërimit të qytetit dhe 10 të tjerët të pastrimit të rrugëve, t’i transferojë nën ombrellën e kompanisë rajonale të mbeturinave “Ambienti”, ku këta punëtorë kanë punuar të njëjtën punë deri para tri vitesh kur tenderin për këto shërbime e kishte fituar operatori privat, i cili me një marrëveshje me komunën i kishte marr këta punëtorë nën kontratë dhe të vazhdojnë të kryejnë punën e njëjtë që e kanë bërë edhe në kohën sa kanë qenë punëtor të “Ambientit”.

Bazuar me biznesplanin e ndërmarrjes “Ambienti” të aprovuar në Kuvendin Komunal, para komisionit aksionar, është vendosur që pas transferimit, Komuna e Pejës do ta sigurojë buxhetin për rrogat e tyre. Ky transferim zyrtarisht me letra ende nuk ka ndodhur dhe këta punëtorë ende nuk kanë kontrata pune, por niveli i rrogës që po ua ofron komuna këtyre punëtorëve, ka shkaktuar revoltë te këta punëtorë, të cilët që tri ditë janë në protestë dhe nuk po punojnë.

Kryepunëtori i këtyre 25 punëtorëve, Shefqet Kastrati, tregon se komuna ju ka ofruar rrogën e njëjtë prej 255 euro në muaj dhe 50 euro në muaj për shujtë, që e kanë marr së fundmi te operatori privat.

“Ky është diskriminim, sepse punëtorët në ‘Ambient’ e kanë rrogën mbi 400 euro me gjithë shujtë. Ne po kërkojmë që edhe ne t’i kemi rrogat e njëjta me të gjithë ashtu si i kanë punëtorët fizik në ‘Ambient’. Kjo është kërkesa e jonë. Ne po presim që me na kthye në ‘Ambient’ me rroga që i kanë punëtorët atje”, flet Kastrati edhe në emër të punëtorëve, të cilët qëndronin përreth tij në parkun e vogël të qytetit afër objekteve të komunës, ku ata po mbanin protestën edhe të enjten, raporton Koha Ditore.

E në kabinetin e kryetarit të Komunës, pohojnë se këta punëtorë, që aktualisht nuk kanë kontratë pune me askënd, nuk i obligon për momentin asgjë që të kryejnë punën që e kanë bërë.

“Ata e kanë vullnetin e mirë dhe i kemi përgëzuar që nuk kanë hezituar me dal e me krye punën që e kanë bërë, por tash mbetet te ne me zgjidh këtë problem. Ju kemi thënë se vullneti i komunës është që të bëhet kalimi ia atyre punëtorëve në ambient. Por mundësia e pagave në atë lartësi që ata pretendojnë, është e vështirë. Tash ne jemi duke u munduar me gjet zgjidhje, por ata kanë kërkesa tjera kundrejt pagave që i kanë pas te operatori privat, e ne si komunë i kemi mundësitë buxhetore të limituara. Por ka mbetur që kryetari i Komunës, bashkë me drejtorin e Financave të shikojnë mundësinë financiare të sigurimit të mjeteve për një rritje substanciale për këta punëtorë”, thotë shefi i këtij kabineti, Durim Sheremeti.

Sipas tij, rruga ligjore është vërtetuar për kalimin e këtyre punëtorëve në ‘Ambient’, por siç shton, ai, duhet të shikohet mundësia financiare apo, siç thotë ai, të gjendet kompromisin e kërkesave të këtyre punëtorëve, pasi, siç e pranon Sheremeti, njësia e këtyre punëtorëve, për punën që e bëjnë, për komunën e Pejës është njësia më e rëndësishme.

Ky vlerësim për këta punëtorë ende nuk reflekton në gatishmërinë e zyrës së kryetarit për t’i ofruar pagat që ata i kërkojnë, pavarësisht se drejtori i Financave, Jetoni Abazaj, i ka dhënë zyrës së kryetarit dritë të gjelbër për mundësinë financiare të një page më të lartë sesa asaj që i kanë ofruar.

“Sipas një parallogarie që e kam bërë, bazuar në mundësinë financiare, mundemi me ju ofrua deri në 400 euro rrogë bruto në muaj, përfshirë edhe shujtën. Më shumë se kaq nuk ka mundësi. Ju kam thënë se 120 mijë euro mund të ndahen për pagat e tyre për tërë vitin, aq sa e kemi paguar edhe operatorin ekonomik për atë shërbim. Dje ja kam dhënë informatën zyrës së kryetarit se kjo shumë mund t’u ofrohet si pagë. Tash është ne domenin e zyrës së kryetarit që të bëjnë zgjidhje”, tregoi Abazaj për lartësinë e pagës që ka komuna t’u ofrojë këtyre punëtorëve, për të cilët drejtori i “Ambientit”, Nexhat Abdullahi, pasi ishte vendosur që këta punëtorë të transferohen në këtë kompani, në planin e buxhetor kishte planifikuar pagat të njëjta me punëtorët e terrenit në atë kompani.

Avbdullahi tregon se kur kanë kaluar këta punëtor te operatori privat, atyre ju është shkëputur kontrata e punës në “Ambient”, dhe për këtë arsye kjo kompani nuk ka kurrfarë obligimi ndaj tyre.

“Unë kam tentuar të bëjë diçka për ata punëtorë dhe në momentin që komuna ka thënë se do t’i kalojnë në ‘Ambient’ dhe rrogat e tyre i paguan komuna, ne kamë bërë projektin dhe një plan buxhetor për ata punëtor. Rrogat e tyre i kam planifikuar në nivel që i kanë punëtorët fizik të ambientit, që i kanë 370 euro dhe 50 euro shtesë për shujtë. Se nëse ata hynë në grup të punëtorëve tonë, nuk bënë të ketë diskriminim, por duhet ti kenë pagat e njëjta. Por komuna nuk ka pranuar, se ajo e cakton nivelin e pagave të tyre”, tha drejtori i kompanisë “Ambienti”, e cila deri para tri viteve, kur komuna kishte vendosur ti privatizojë këto shërbime, i ka kryer para edhe pasluftës.

Sikur me këta 25 punëtorë tash, që i kalon në “Ambient”, Komuna e Pejës kishte vepruar njëjtë edhe me rreth 260 punëtorë të shërbimit të pastrimit të shkollave, të objekteve të komunës, të ambulancave dhe të sigurimit fizik të objekteve komunale.

Këto shërbime komuna i kishte privatizuar në vitin 2010. Shërbimin e pastrimit komuna e kishte kthyer serish në menaxhim të vetin në fund të vitit 2015, kur ia kishte ndërpre kontratën operatorit me pretendimin se nuk iu ka përmbajtur kontratës.

Të njëjtit punëtorë të pastrimit kanë qenë punëtorë të komunës edhe para se të privatizohej sektori i pastrimit dhe të cilët kishin kaluar si punëtorë të kompanive të pastrimit që e kanë kryer këtë shërbim për komunën gjatë atyre viteve. Kurse, për shërbimin fizik të objekteve komunale, pasi i ka skaduar kontrata operatorit në mes të vitit 2016, komuna kishte vendosur që edhe këtë shërbim ta kthejë në menaxhim të vetin.

Të gjithë këta punëtorë, që vazhdojnë ta kryejnë të njëjtën punë edhe tash, komuna i ka futur në listën e pagave ndërmarrjes së mbeturinave “Ambienti”, kurse mjetet për rrogat e tyre i siguron vetë komuna, e cila me 100 për qind të aksioneve është pronare e ndërmarrjes “Ambienti”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat