Rugovianët kundërshtojnë mbylljen e rrugës, japin afat 48 orë për anulimin e vendimit

Peja

Rugovianët kundërshtojnë mbylljen e rrugës, japin afat 48 orë për anulimin e vendimit

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 13:27
Foto nga vendi ngjarjes

Organizatat e Shoqërisë Civile të mbështetura nga përfaqësues të fshatrave të Rugovës, shprehën pakënaqësi lidhur me vendimin e prokurorisë për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve me materiale ndërtimi në zonat e tyre.

Pas takimit që patën me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, kanë thënë se ky i fundit u zotua se do t’i dërgojë një letër zyrës së prokurorit dhe se pritet vetëm vendimi i prokurorit në nivel lokal që të tërhiqet kjo masë.

Drejtor i OJQ-së Syri i vizionit Veton Muja, ka thënë se bllokimi i zonës së Rugovës është bërë problematik e madhe për banorët e asaj ane, derisa ka theksuar se i kanë dhënë 48 orë kohë Ministrit që ky vendim të tërhiqet.

Muja:Së bashku me banorët e asaj zone kemi dhënë një ultimatum 48 orë që ky vendim të hiqet

“Sot ishim në takim me ministrin e mjedisit po njëkohësisht edhe me zëvendës kryeprokurorin, e gjithë Kosova tash më e dinë për rastin e bllokimit të zonës së Rugovës me materiale, që e kemi quajtur vendim jo kushtetues i marrë nga prokuroria në Pejë. Në një far forme së bashku me banorët e asaj zone kemi dhënë një ultimatum 48 orë që ky vendim të hiqet. I takuam paraprakisht institucionet ato e kanë marrë seriozisht këtë komunikim të banorëve dhe shoqërisë civile, besoj që në kohën më të shpejtë kemi premtimin që menjëherë ministria e mjedisit do t’i dërgojë një letër zyrës së prokurorit dhe pritët vetëm vendimi i prokurorit në nivel lokal që të tërhiqet kjo masë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ish-deputeti Ali Lajqi, ka theksuar se parku nacional duhet të zhbëhet, sepse siç ka thënë ai është në kundërshtim me shumë kritere të parkut nacional

Lajqi:Parku nacional duhet të zhbëhet

“Thelbi i kësaj është parku kombëtar ose nacional që është bërë në vitin 2011-12, është thelbi i kësaj çështje e cila u bë jashtë kritereve të një parku nacional dhe ky ligj nuk përbën esencën ose materien e cila do të ishte e qëndrueshme për një park nacional...Parku nacional duhet të zhbëhet u tha edhe prej Ministrit, duhet të vijë sa më shpejtë me procedurë që parku të korrigjohet ose të hiqet prona private prej parkut. Tentimi është që të zhbëhet plotësisht sepse është në kundërshtim me shumë kritere të parkut nacional”, ka thënë ai.

Me vendimin e Parkut Nacional, rruga Pejë-Rugovë, është bllokuar për mjetet transportuese me material ndërtimorë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat