Peja me raste rekorde me COVID-19 brenda 24 orëve

Peja

Peja me raste rekorde me COVID-19 brenda 24 orëve

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 17:58
Pejë

Në 24 orët e fundit nga mostrat e marra në komunën e Pejës, janë diagnostikuar 28 raste të reja me Covid-19. Ky numër është rekord në këtë komunë për rastet e shënuara brenda 24 orëve, prej që është shpallur gjendja e emergjente në mesin e muajit mars nga pandemia e koronavirusit.

Prej këtyre 28 rasteve të reja, 24 janë në qytetin e Pejës dhe nga një janë në fshatrat Novosellë, Baran, Radac dhe Vitomiricë.

Me 28 raste të reja, numri aktiv i personave me Covid-19 ka arritur në 110 në këtë komunë, duke e çuar në 300 numrin e përgjithshëm që zyrtarisht janë diagnostikuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

“Nuk na ka mbetur më tjetër veç me ngritë flamurin e bardhë”, është shprehur drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, për 28 rastet e reja me Covid-19 në këtë komunë, në të cilën deri më tash betejën me koronavirusin e kanë humbur 9 persona.

Ai ka apeluar te pejanët që të zbatojnë masat për parandalimin e shpërhapjes së pandemisë, që nënkupton bartjen e maskave, mbajtjen e distancës sociale dhe higjiena personale.

“E vetmja masë që mund të ndikojë në uljen e të prekurve është disiplina dhe kujdesi qytetarë”, ka thënë Loci.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, janë shëruar 10 pacientë me Covid-19. Aktualisht, siç ka njoftuar ky spital, në repartet e këtij spitali po trajtohen 65 pacientë të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 31 pacientë janë në oksigjeno terapi, 10 pacientë janë në gjendje më të rëndë, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje më stabile.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat