Policia gjobitë me nga 200 euro tre taksistë në Pejë, ani se iu lejohet veprimtaria

Peja

Policia gjobitë me nga 200 euro tre taksistë në Pejë, ani se iu lejohet veprimtaria

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 23:10
Foto Ilustrim

Të premten më 13 nëntor në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Qeveria ka kategorizuar komunat në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.

Sipas kategorizimit, komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe)

Komunat që hyjnë në kategori: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Peja, Gjakova, Ferizaj, Shtime, Gjilan, Mitrovicë e Jugut.

Në kuadër të kësaj sipas rekomandimeve, pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”.

Por, përkundër kësaj, policia po vazhdon t’u vejë gjobë 200 euro taksive.

Një qytetar nga Peja i cili ka marrë gjobë sot ( e shtunë), i ka thënë Telegrafit, se përkundër që ka qenë vetëm në veturë, dhe posedon dokumentacionin që i lejohet të punojë, atij i kanë vendosur gjobë.

Për këtë ai ka thënë se do të ankohet.

Përveç tij edhe dy taksi të tjerë “London Taxi” po ashtu sot kanë marrë gjobë 200 euro pasi kanë punuar pas orës 19:00.

Ata e kanë konfirmuar se janë gjobitur në qytetin e Pejës, dhe thënë se do të çojnë ankesë, pasi kanë lejet e qarkullimit sipas rekomandimeve të fundit të qeverisë.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 765 raste me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Rezultatet janë në bazë të 1791 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 11 pacientë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat