Shkencëtarët: Inteligjenca Artificiale nuk përbën një kërcënim ekzistencial për njerëzimin

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët: Inteligjenca Artificiale nuk përbën një kërcënim ekzistencial për njerëzimin

Nga: Eva Hamrud Më: 13 prill 2021 Në ora: 19:19
Foto ilustruese

Ne ndeshemi çdo ditë me Inteligjencën Artificiale (AI). AI dominon sistemet kompjuterike, të cilat janë në gjendje të kryejnë detyra, që normalisht kërkojnë inteligjencë njerëzore. Kur kërkoni diçka në internet, rezultatet kryesore që shihni përzgjidhen nga AI.

Çdo  rekomandim që merrni nga faqet e preferuara të blerjeve apo lajmeve në internet, do të bazohet gjithashtu në një algoritëm të Inteligjencës Artificiale. Këto algoritme përdorin historinë e shfletuesit tuaj, për të gjetur gjëra që mund t’ju interesojnë.

Librat fantastiko-shkencorë, preferojnë ta përshkruajnë AI si robotë super inteligjentë, që në një moment do të arrijnë tanënshtrojnë njerëzimin. Disa njerëz besojnë se ky skenar mund të bëhet një ditë realitet.

Figura të njohura të shkencës, përfshirë të ndjerin Stefën Houking, kanë shprehur frikën se si AI e ardhshme mund ta kërcënojë njerëzimin. Për të adresuar këtë shqetësim ne pyetëm 11 ekspertë të fushës “A përbën Inteligjenca Artificiale një kërcënim ekzistencial për njerëzimin?”.

82 për qind prej tyre thanë se nuk është një kërcënim ekzistencial. AI përdoret gjerësisht në shumë aplikacione si njohja e fytyrës, makinat që drejtohen vetë, dhe për rekomandimet në internet. Një lloj tjetër i AI quhet  Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale (AGI).

Ajo imiton inteligjencën njerëzore, përfshirë aftësinë për të menduar dhe zbatuar inteligjencën në zgjidhjen e shumë problemeve të ndryshme. Disa njerëz besojnë se AGI është i pashmangshëm, dhe do të jetë në dispozicion vitet e ardhshme. Por disa e kundërshtojnë këtë optimizëm.

Por si mundet AGI të kërcënojë njerëzimin? Përderisa nuk është e qartë se kur apo nëse AGI do të jetë e mundur, a mund ta parashikojmë se çfarë kërcënimi mund të paraqesë ajo për ne njerëzit? Dr.Roman Jampolski, shkencëtar i kompjuterëve nga Universiteti Luisvil në SHBA, beson se “asnjë version i kontrollit të njerëzve nga AI nuk është i arritshëm”, kjo për shkak se nuk është e mundur që AI të jetë edhe autonom, edhe i pa kontrolluar nga njerëzit.

Në parim, të mos qenit në gjendje për të kontrolluar sisteme super inteligjente, mund të jetë diçka katastrofike. Jingxu Uang, profesor i softuerëve dhe shkencave të trurit në Universitetin e Kalgarit në Kanada, thotë se nuk ka nevojë për panik.

Sipas tij “sistemet dhe produktet e AI të dizajnuara në mënyrë profesionale, janë të kufizuara si duhet nga një shtresë themelore e sistemeve operative, për të mbrojtur interesin dhe mirëqenien e përdoruesve, të cilat nuk mund të arrihen ose modifikohen nga vetë makineritë inteligjente”.

Nga ana tjetër shumë nga ekspertët ranë dakord, se Inteligjenca Artificiale mund të jetë një kërcënim në rast se bie në duar të gabuara. Dr.Xhorxh Montanez, ekspert i AI në Kolegjin “Harvey Mudd”, thekson  se ”robotët dhe sistemet e AI, nuk kanë nevojë të jenë të ndjeshëm për të qenë të rrezikshëm; mjafton që ato të jenë mjete efektive në duart e njerëzve që dëshirojnë t’i lëndojnë të tjerët, dhe ky është një kërcënim që sot ekziston”.

Por dhe pa ndonjë synim të keq, AI e sotme mund të jetë kërcënuese. Për shembull,  paragjykimet racore janë zbuluar në algoritme që organizojnë kujdesin shëndetësor për pacientët në SHBA. Paragjykime të ngjashme janë gjetur në softuerin e njohjes së fytyrës, të përdorur nga policia. Paragjykimi i AI, vjen nga të dhënat për të cilat ai është trajnuar. Në rastet e paragjykimit racor, të dhënat e trajnimit nuk ishin përfaqësuese të popullatës së përgjithshme. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat