Debati etik për qelizat njerëzore të rritura në embrione majmunësh

Shkencë & Teknologji

Debati etik për qelizat njerëzore të rritura në embrione majmunësh

Më: 16 prill 2021 Në ora: 21:25
Foto ilustruese

Një studim ka konfirmuar se embrionet e majmunëve, të cila përmbajnë qeliza njerëzore janë krijuar në laborator.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se ekipi i përbashkët i kërkimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës ka hapur debate të reja lidhur me etikën e kryerjes së eksperimenteve të kësaj natyre.

Sipas kërkimit, shkencëtarët injektojnë qelizat burimore njerëzore, të cilat kanë aftësinë të zhvillohen në shumë inde të ndryshme të trupit, në embrione majmunësh makaka.

Këta embrione në zhvillim u studiuan për afro 20 ditë.

Eksperimente të tilla nuk janë të parat e këtij lloji. Më parë, embrionet e  specieve të përziera janë prodhuar me qeliza njerëzore të implantuara në embrione delesh apo derrash.

BBC shkruan se shkencëtarët drejtoheshin nga profesor Juan Carlos Izpisua Belmonte i Institutit Salk në SHBA. Në vitin 2017, ai ka dhënë ndihmën e tij në krijimin e hibridit të parë të derrave njerëzorë.

Belmonte është shprehur se puna e shkencëtarëve mund të hapë rrugë në adresimin e mungesës së madhe të organeve të transplantueshme. Gjithashtu të ndihmojë në një kuptim më të mirë të zhvillimit të hershëm njerëzor, përparimit të sëmundjes dhe plakjes.

“Këto qasje kimerike mund të jenë me të vërtetë shumë të dobishme për avancimin e kërkimeve bionjerëzore, jo vetëm në fazën më të hershme të jetës, por edhe në fazën më të fundit të saj”, ka thënë ai.

Studiuesi ka pohuar se kërkimi shkencor, i cili u botua në revistën Cell, i kishte përmbushur udhëzimet aktuale etike dhe ligjore.

“Në fund të fundit, ne i kryejmë këto studime për të kuptuar dhe përmirësuar shëndetin e njeriut”, ka vazhduar Belmonte.

Mirëpo, eksperimenti nuk ka mbetur në hije. Shkencëtarë të tjerë kanë ngritur shqetësime lidhur me eksperimentin duke argumentuar se teksa embrionet në rastin konkret janë shkatërruar brenda 20 ditëve. Ndërkohë që të tjerët mund të përpiqeshin ta çonin punën më tej.

Nisur nga kjo, ata po drejtojnë thirrje për debat publik mbi implikimet e krijimit të një pjese të kimerave njerëzore dhe jonjerëzore.

Doktoreshë Anna Smajdor, lektore dhe studiuese e etikës biomjekësore në shkollën mjekësore, Norwich, në Universitetin e Anglisë Lindore, ka komentuar hulumtimin duke thënë se ai “paraqiste sfida të rëndësishme etike dhe ligjore”.

Ajo ka shtuar për BBC se shkencëtarët që qëndrojnë pas këtij hulumtimi deklarojnë se këto embrione kimerike ofrojnë mundësi të reja për arsye se nuk janë në gjendje të kryejnë lloje të tjera eksperimentesh te njerëzit.

Sipas Smajdor, fakti nëse këto embrione janë njerëzore apo jo, është çështje e diskutueshme.

Edhe drejtori i Qendrës Oxford Uehiro për Etikë Praktike dhe bashkëdrejtuesi i Qendrës Wellcome për Etikë dhe Shkenca Humane, në Universitetin e Oxford-it, janë shprehur se ky kërkim “hap kutinë e Pandorës për kimerat njerëzore-jonjerëzore”.

“Këto embrione u shkatërruan në 20 ditë të zhvillimit të tyre, por është vetëm çështje kohe para se kimerat njerëzorë-jonjerëzorë të zhvillohen me sukses, ndoshta si një burim organesh për njerëzit. Ky është një nga qëllimet afatgjata të këtij hulumtimi”, kanë shtuar ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat