Magjia e kapjes dixhitale të lëvizjeve

Shkencë & Teknologji

Magjia e kapjes dixhitale të lëvizjeve

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Teknologjia e regjistrimit të lëvizjeve e ka përfshirë të gjithë Hollivudin. Producentët kanë tashmë mundësinë ta bëjnë botën fantastiko-shkencore të duket si realitet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, na sjell prapaskenat në Los Anxhelos të realizimit të momenteve të tilla.

"Kostumi i regjistrimit të lëvizjeve, si pjesët që ka veshur Robin tani, shërben si baza mbi të cilën unë do të vendos këto shenja të mbuluara me bojë, e cila reflekton. Kamerat tona do të dërgojnë rreze infra drejt tyre dhe kur drita të kthehet pas, kamerat do të regjistrojnë pozicionin e shenjave", shpjegon Pasha Sol, artist teknik për regjistrimin e lëvizjeve.

"Siç e shikoni, ka 69 kamera që shikojnë drejt Matthew-t tani. Në monitor unë mund të shoh se 68 kamera po i kapin shenjat, të cilat kanë marrë ngjyrë të ndezur", thotë zoti Sol.

"Regjistrimi i lëvizjeve erdhi në fushën e argëtimit nga fusha e mjekësisë. Përdorej në terapitë fizike dhe nga trajnerët e sportit për njerëzit që donin të përmirësoheshin, apo të kuroheshin nga traumat", thotë zoti Sol.

"Unë mundem ta gjurmoj lëvizjen, ta analizoj dhe të zbuloj se si mund t'i realizoni gjërat më mirë, apo se në çfarë faze gjendet terapia. Nëse keni për shembull një lëndim në gju, nuk do të ecni në mënyrë simetrike. Dhe unë mundem ta ndaloj këtë duke përdorur teknologjinë e regjistrimit të lëvizjeve me shumë preçizion", thotë zoti Sol.

"U shndërrua në një revolucion për shkak të industrisë së argëtimit. Ka ekzistuar prej kohësh, por vetëm rishtazi industria e argëtimit filloi ta përdorë kaq shumë", thotë ai.

"Këtu në kompaninë Rouge, kemi krijuar skena për filmat Black Panther, Spiderman, Guardians of the Galaxy, etj. Pra filma të tillë, si dhe kemi punuar me disa video lojëra", thotë Vince Argentine, drejtues i kompanisë "Rouge MoCap".

"Në filma kemi përdorur shumë ato që i quajmë dublantë dixhitalë. Pra, bëjmë skanim tredimensional të aktorëve realë dhe ndërtojmë një lloj kukulle 3D. Pastaj i veshim, siç veprohet me një marionetë. Dhe regjistrimi i lëvizjeve udhëzon marionetën", thotë ai.

"Për shembull, mund të marr një aktor si Tom Cruise dhe një aktor dublant, dhe mundem të krijoj një version të tij real fotografik, ndërkohë që lëvizjet i bën një tjetër aktor", thotë zoti Argentine.

"E bëjmë këtë shpesh edhe me regjistrimin e lëvizjeve të fytyrës, nëpërmjet kamerave. Pra regjistrojmë shprehitë, lëvizjet e trupit dhe të gishtërinjve. Të gjitha këto pastaj vendosen së bashku në një mishërim personi dixhital (avatar)", thotë ai./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat