Zgjedhjet e 25 prillit/ Përplasja e VIP-ave të politikës në qarkun e Elbasanit! Ja kush është në krye të listave

Shqipëria

Zgjedhjet e 25 prillit/ Përplasja e VIP-ave të politikës në qarkun e Elbasanit! Ja kush është në krye të listave

Më: 18 janar 2021 Në ora: 12:49
Foto Ilustrim

Qarku i Elbasanit duket se do të jetë zona më e nxehtë pas Tiranës dhe Durrësit, ku drejtues të partive kryesore do të udhëheqin listën e kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në qarkun me 14 deputetë, gara pritet të jetë e fortë, për shkak se numri i madh i mandateve u jep mundësi partive që të përdorin të gjitha taktikat elektorale për të marrë sa më shumë mandate. Në zgjedhjet e 2017-ës, Partia Socialiste mori 7 deputetë, Partia Demokratike 3, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 2 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 2 mandate.

Listën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit do ta kryesojë përsëri drejtuesi politik i këtij qarku, Taulant Balla, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i kësaj partie dhe kryetar i Grupit Parlamentar Socialist. Evis Kushi, ministrja e Arsimit, rrit përfaqësimin politik në listën e PS-së për këtë qark.

Cilësinë e kandidatëve të PS-së në këtë qark e rrit edhe profesor Anastas Angjeli, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, një nga themeluesit e Partisë Socialiste, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Europës. Partia Demokratike, e cila në 2017- ën e kryesoi listën e saj me ishkryetarin e Grupit Parlamentar, Edmond Spahon, kësaj radhe e ka rritur përfaqësimin politik në krye të listës.

Gazment Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD-së, do të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark. Kujtojmë se në 2009-ën, në krye të listës së Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit ka qenë kryetari aktual i kësaj partie, Lulzim Basha. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk e ka tradhtuar edhe kësaj radhe qarkun e Elbasanit dhe pse fillimisht u fol se ajo do të kandidonte në qarkun e Fierit. Po në këtë qark do të garojë sërish, si në 2017-ën, edhe Edmond Haxhinasto për LSI-në, ish-ministri i Infrastrukturës, që për elbasanasit mbahet mend si ministri i rrugës Tiranë-Elbasan.

Mësohet se listës së LSI-së do t’i bashkohet edhe Ermir Gjinishi, ishnënkryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, i cilësoi të parrezikshëm kundërshtarët e tij politikë në garën për deputetët e qarkut të Elbasanit më 25 prill. “Monika Kryemadhi ka qenë kandidate për deputete në Elbasan, edhe Lulzim Basha. Elbasani e di fare mirë që asgjë nuk e lidh Elbasanin me ta.

Nuk kujtohen të kenë bërë qoftë dhe një punë të vetme në shërbim të komunitetit. Mendoj që ata që tradhtuan votën e qytetarëve shqiptarë mund ta tradhtojnë përsëri”, u shpreh kreu i Grupit të PS-së pak ditë më parë.

Nuk dihet se çfarë peshe elektorale do të ketë PDIU-ja në qarkun e Elbasanit, për shkak se dy deputetët e kësaj partie në 2017-ën, Aqif Rakipi dhe Bujar Muça, u larguan nga Parlamenti, i pari për shkak të ndërprerjes së mandatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe i dyti, Bujar Muça, u dorëhoq për arsye familjare. Dy deputetët që i zëvendësuan ata, Elena Xhina dhe Dritan Bici, thuajse i janë bashkuar plotësisht Partisë Socialiste, duke votuar në Parlament njëlloj si deputetët e Grupit Parlamentar Socialist.

Elbasani konsiderohet një qark i rëndësishëm për partitë politike në një garë elektorale, për shkak se partitë kryesore mund të bëjnë diferencën, ndërsa partitë e tjera, mund të pretendojnë të marrin mandate të cilat në qarqet e vogla janë krejtësisht të pamundura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat