Djali i Sokol Olldashit ka një mesazh për Jozefina Topallin

Shqipëria

Djali i Sokol Olldashit ka një mesazh për Jozefina Topallin

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 06:18
Sokol Olldashi

Djali i të ndjerit Sokol Olldashi, Glauku, i është bashkuar fushatës së Partisë Demokratike ku i ati, më 2013, pak muaj para vdekjes, humbi përballë Lulzim Bashës në zgjedhjet e PD që i quajti publikisht të parregullta.

Glauk Olldashi, shprehet se po kontribuon për fushatën duke mos dashur dhe pranuar kandidim për deputet.

Ai thotë se do të jetë në PD, "por nëse do të jem i përfshirë politikisht më shumë apo më pak nuk mund ta parashikoj."

Olldashi ka komentuar deklaratën e ish kryetares së Parlamentit dhe ish nënkryetare e PD, Jozefina Topalli, e cila tha se nëse Sokol Olldashi do të ishte gjallë, PD-ja do të ishte ndryshe?

Glauku u shpreh: "Mesa di unë, Jozefina Topalli ka qenë një nga mbështetëset e para, të themi e para, të babait tim në PD. Dhe në i takon dikujt që të flasë për të politikisht është Jozefina, por deklarata e saj nuk ka asgjë për të bërë “scoop”. Ajo ka të gjithë të drejtën për ta përmendur politikisht, pasi ka qenë promovuesja e tij në PD, dhe deklarata e saj është shumë normale dhe nuk ka vend për t’u marrë dhe stërholluar. Fjala ndryshe, po patjetër që do të ishte ndryshe, por jo që të marrim tani fjalët e Jozefinës dhe ti përdorim politikisht.

Por si mendon Glauku, çfarë do të bënte ndryshe Sokol Olldashi nëse sot do të ishte gjallë:

"Çdokush është ndryshe nga dikush tjetër. Unë dhe ti nuk jemi njëlloj. Çfarë do bënte ndryshe nuk mund të spekuloj. Unë nuk mund të them diçka kur ai nuk është gjallë për t’u përgjigjur. Sidomos unë që jam djali i tij."

Po rasti i Rudina Hajdarit? Glauku kritikon faktin që ajo nuk iu bind vendimit politik të PD:

"Rudina erdhi nga Amerika, u promovua pa fund, u bë deputete dhe tani, në ka bërë mirë apo keq me veprimet që mori për të qëndruar në parlament, për mendimin tim, partia duhet të jetë në unison, ajo duhet të respektonte vendimin e opozitës. Nuk mund ti them gabim, është cështje parimore, duhet të respektojë unisonin e partisë, sidomos dikush që është i ri në politikë aktive dhe parlament."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat