Qytetarët në protestë kundër vaksinimit me detyrim, policia procedon 10 persona

Shqipëria

Qytetarët në protestë kundër vaksinimit me detyrim, policia procedon 10 persona

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë, ka nxjerrë vendimin zyrtar për vaksinim e detyruar për mësuesit dhe studentët. Ministria ka publikuar urdhrin e certifikatës së vaksinimit apo testimit në institucionet arsimore, ku studentët dhe mësuesit e kanë të detyruar që të paraqesin certifikatë apo kartë vaksinimi pranë zyrave përkatëse, ose në rast të kundërt duhet të testohen çdo javë. Po ashtu, në vendim theksohet se përjashtim do të bëjnë vetëm nëse kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument për mosaplikimin e vaksinës.

Për studentët të cilët nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit dhe ata të cilët deri më tani nuk janë vaksinuar, në vendim thuhet se duke filluar që nga 11 tetori, ata do të përdorin platforma alternative që është mësimi online. Urdhri i ministrisë përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët. Ndërkohë, nga ditën e sotme nis edhe viti i ri shkollor për nxënësit. Nëpërmjet një video-mesazhi, ministrja e Arsimit u është drejtuar me një urim të gjithë nxënësve, duke theksuar se në të gjitha shkollat duhet që të respektohen masat anticovid që janë marrë nga Komiteti.

Vijojnë protestat

Ndërkohë, policia ka proceduar ditën e djeshme protestuesit, të cilët zhvilluan protestë kundër nismës së qeverisë për vaksinimin e detyruar. Policia bën me dije se ka vënë nën hetim 10 organizatorët e protestës së zhvilluar dy ditë më parë te sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas policisë, organizatorët zhvilluan një protestë të paligjshme gjatë të cilës kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme si dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve të transportit.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” shtetasit: A. G., 51 vjeç, A. B., 21 vjeç, K. O., 43 vjeç, A. Dh., 34 vjeç, K. G., 26 vjeç, E. D., 27 vjeç, A. P., 42 vjeç, I. K., 42 vjeç, B. B., 37 vjeç dhe K. K., 42 vjeç. Shtetasit e sipërpërmendur në një protestë të paligjshme të zhvilluar tek sheshi “Nënë Tereza” dhe më pas janë zhvendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme si dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve të transportit”, thotë policia.

Ndërkohë, gjatë protestës së djeshme protestuesit argumentuan se vaksinimi me detyrim është shkelje e të drejtës së njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat