Mallra ushqimore dhe medikamente mjekësore kontrabandë, arrestohet 47-vjeçari në Korçë

Shqipëria

Mallra ushqimore dhe medikamente mjekësore kontrabandë, arrestohet 47-vjeçari në Korçë

Më: 21 maj 2022 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Një person ka rënë në pranga dhe një tjetër është proceduar penalisht për aktivitet të paligjshëm të kontrabandimit me mallra ushqimore dhe medikamente mjekësore.

Policia e Korçës bën me dije se gjatë kontrollit janë sekuestruar sasi me mallra ushqimore, paketa me cigare, pije alkoolike dhe një sasi medikamentesh mjekësore pa pullë fiskale, të kontrabanduara. Përkatësisht është arrestuar 47-vjeçari O.C dhe është proceduar 64-vjeçari Gj.F.

“Shërbimet e Policisë, në rrugën Kapshticë-Bilisht, tek rrethrrotullimi i fshatit Miras, Devoll, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. C., gjetën një sasi me mallra ushqimore, paketa me cigare dhe pije alkoolike për të cilat ky shtetas nuk kishte kryer detyrimet doganore dhe dyshohet se do t’i tregtonte në minimarketin e tij, në lagjen nr. 15, Korçë.

Gjithashtu, në hyrje të qytetit të Bilishtit, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin Gj. F., u gjet dhe u sekuestrua një sasi me medikamente mjekësore, me mbishkrime në gjuhën greke, pa pullë fiskale, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, njofton policia.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat